Përplasjet fizike në Kuvend, mblidhet sot Sekretariati i Etikës, ja deputetët që rrezikojnë përjashtimin

Sekretariati i Etikës të Kuvendit do të mblidhet ditën e sotme në orën 10:00, në një mbledhje online, për të shqyrtuar kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për përjashtimin e 20 deputetëve demokratë, pas tensioneve të regjistruara në seancën e djeshme parlamentare.
Për deputetët që akuzohen se kryen sulme fizike, konkretisht Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Xhaferri, PS kërkon përjashtimin nga Kuvendi për një periudhë prej dy muajsh. Ndërkohë, për 14 deputetët e tjerë demokratë, të cilët bllokuan foltoren, kërkohet masa e përjashtimit për 10 ditë.
Gjatë seancës së djeshme, Flamur Noka sulmoi fizikisht kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ndërsa deputeti demokrat Fidel Kreka goditi me bllokun e votimit ish-ministrin Ervin Hoxha.
Seanca e ditës së djeshme nisi me tensione pasi opozita bllokoi foltoren dhe vijoi të krijonte zhurmë. Në këto kushte, kryeparlamentari Niko Peleshi kaloi direkt në votim dhe socialistët ngritën kartonin jeshil duke miratuar të gjitha projektligjet që ishin pjesë e rendit të ditës.


