Përmbysën karriget e dialogut para Kryeministrisë, Meta përgëzon pedagogët: Demonstrim i shkëlqyer

Ilir Meta ka dalë në mbështetje të protestës së një grupi pedagogësh në Tiranë, mes të cilëve ishin edhe vajza dhe dhëndri i Sali Berishës, Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi, si dhe figura të tjera të lidhura me PD-në.
Në një postim nga burgu, aleati politik i Berishës e ka cilësuar tubimin një “demonstrim të shkëlqyer të ndërgjegjes shoqërore”, duke falënderuar pjesëmarrësit dhe duke bërë thirrje për mbështetjen e tyre.
Protesta e grupit të pedagogëve u zhvillua pas ftesës së kryeministrit Edi Rama për dialog. Pjesëmarrësit marshuan drejt Kryeministrisë, ku përmbysën karriget e vendosura për dialog dhe grisën pankartat me këtë mbishkrim, ndërsa kërkuan dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Postimi i plotë i Ilir Metës:
“Protesta e pedagogëve është një demonstrim i shkëlqyer i ndërgjegjes shoqërore të nivelit më të lartë! Mirënjohje të përzemërt për guximin, dinjitetin dhe zërin e fuqishëm të pedagogëve në mbrojtje të Arsimit, kundër zbrazjes së auditoreve dhe shpopullimit dramatik të Shqipërisë nga të rinjtë. Të mbështesim pedagogët, gjimnazistët, të rinjtë dhe të gjithë fëmijët e Shqipërisë për një arsim cilësor dhe dinjitoz, për një Atdhe të përparuar të njerëzve të ditur. PA RINI NUK KA SHQIPËRI!”/


