Pas dëmtimeve në ATM dhe filiale / Bankat thirrje qytetarëve: Kaloni te shërbimet online

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka reaguar lidhur me dëmtimet e disa degëve bankare dhe ATM-ve gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri, duke bërë thirrje për mbrojtjen e institucioneve financiare si një pasuri e përbashkët e qytetarëve dhe ekonomisë.
Për shkak të situatës së krijuar dhe masave të sigurisë, disa banka kanë kufizuar përkohësisht shërbimet dhe oraret e punës, ndërsa AAB siguron klientët se dëmet materiale nuk cenojnë, në vetvete, depozitat e tyre apo funksionimin e sistemit bankar.
Njoftimi i plotë:
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), duke ndjekur me vëmendje situatën e krijuar gjatë protestave të ditëve të fundit, informon publikun se disa degë bankare dhe ATM janë prekur nga veprime që kanë shkaktuar dëme materiale.
Për shkak të zhvillimeve në terren dhe me prioritet sigurinë e klientëve dhe të punonjësve, një pjesë e mirë e bankave kanë operuar përkohësisht me numër të reduktuar degësh dhe/ose me orar të kufizuar. Në raste të caktuara nuk ka qenë e mundur që klientëve t’u ofrohej shërbimi me kapacitetin dhe standardin e zakonshëm. AAB dhe bankat anëtare kërkojnë mirëkuptimin e klientëve për çdo vështirësi apo vonesë të shkaktuar nga kjo situatë e jashtëzakonshme.
Bankat do të vijojnë aktivitetin sipas kushteve dhe orareve të përcaktuara nga secila prej tyre, në varësi të situatës dhe vlerësimeve të sigurisë. Ftojmë klientët që, përpara se të paraqiten në degë, të konsultojnë njoftimet zyrtare në faqet e internetit dhe kanalet e tjera të komunikimit të bankës së tyre.
Në të njëjtën kohë, klientët inkurajohen që, kur është e mundur, të përdorin kanalet bankare digjitale për kryerjen e pagesave, transfertave dhe transaksioneve të tjera të disponueshme në distancë.
AAB thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe veprimet ndaj ambienteve fizike apo pajisjeve nuk cenojnë, në vetvete, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar. Bankat vijojnë të zbatojnë masat dhe procedurat për ruajtjen e sigurisë, vazhdimësinë e aktivitetit dhe mbrojtjen e interesave të klientëve.
Sistemi bankar është një infrastrukturë thelbësore për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare dhe një kontribues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet kreditimit të familjeve dhe sipërmarrjeve, lehtësimit të pagesave dhe transaksioneve, punësimit dhe kontributit në të ardhurat në buxhetin e shtetit. Prandaj të gjithë bashkë të ruajmë sistemin bankar dhe atë financiar si e mirë e përbashkët, të mos sulmohen degët e bankave dhe objektet e tjera financiare.
Bankat mbeten të angazhuara për vijimësinë e shërbimit normal sa më shpejt që kushtet e sigurisë ta lejojnë, duke vlerësuar me prioritet mbrojtjen e klientëve, punonjësve dhe infrastrukturës bankare.
SHOQATA SHQIPTARE E BANKAVE


