“Shteti i kapur nga korrupsioni”, eksperti i ekonomisë komenton raportin e Amnisty International

Nga Rrjeti

“Shteti i kapur nga korrupsioni”, eksperti i ekonomisë komenton

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi, në një intervistë  ka komentuar raportin e Amnisty International, për korrupsionin në vend.

Preçi thekson se situata ekonomike në Shqipëri është skandaloze, duke shtuar se qeveria ka rritur autoritarizmin.

“Janë disa raporte, që në mënyrë konsistente konfirmojnë problematikën që ka Shqipëria, për të vënë ekonominë në funksion të grupeve të interesit, ose që ndryshe njihen si oligarkë. E përbashkëta e raporteve është situata skandaloze e gjendjes në vend dhe rritja e autoritarizmit, që ka sjellje arbitrare dhe përkeqësim të situatës ekonomike, gjë që bën që shumë shqiptarë të ikin nga Shqipëria. Të drejtat e njeriut dhe situata në vend shkojnë paralel. Duhet bërë më shumë që njerëzit të bëhen optimistë, se në Shqipëri mund të jetohet”, tha Preçi.


Zef Preçi nënvizon se pandemia ka keqësuar gjendjen e shqiptarëve, duke thënë se maxhoranca është duke iu shmangur llogari-dhënies.


“Pandemia ka sjellë përkeqësim të situatës ekonomike të njerëzve dhe ka goditur edhe ata që janë të punësuar. Gjendja ekonomike e vendit është shqetësuese. Është një siituatë, ku mungon perspektiva. Ka një rritje të arbitraritetit për tendera, për favore dhe të tjera forma të tilla. Të gjitha këta sjellje të qeverisë, shkaktojnë probleme për biznesin dhe për qytetarët. Duhet të shtrojmë pyetjen si të bëjmë Shqipërinë të jetueshme. E quaj pozitive përpjekjen e opozitës, që të debatohet për këtë çështje shumë serioze.

Maxhoranca nuk jep llogari, por na shprehet sikur kanë rënë nga marsi. Nga vendi kanë ikur 400 mijë vetë dhe kjo është e rëndë. Rama bën deklarata që nuk janë normale. Vaksinimi nuk është dhuratë e qeverisë, por është përgjegjësi. Janë bërë shumë premtime dhe paratë shkojnë tek oligarkët. Pretendimet janë të shumta dhe rezultatet shumë të pakëta. Koncesionet kanë sjellë turbullirë të madhe në ekonomi. Ka humbje shprese të përgjithshme dhe konsum të maxhorancës”, u shpreh Preçi.

Më tej, Preçi vlerësoi se qytetarët duhet të kërkojnë më shumë llogari te qeveria.

“Duhet që qytetarët të marrin pjesë në qeverisje. Duhet të krijohet mundësia që të rritet kërkesa nga ata që duan të jetojnë në këtë vend. Duhet të krijohen kushte për të pasur zgjedhje të lira. Duhet të kemi qytetar, që të kujdeset për veten, për familjen, për komunitetin ku jeton. Fushata ka bërë që administrata të mbledhë vota për maxhorancën, e nuk shërben për qytetarët. Kështu ndodh edhe me njerëzit afër opozitës, që kanë në fokus mbledhjen e votave”, përmbylli Preçi.

ME TE LEXUARAT