Një thirrje për arsimim: Martesa në moshë të hershme nuk është traditë, është shkelje e të drejtave të adoleshentëve

Në një dhomë të vogël në Korçë, një 19-vjeçare mban në krahë vajzën e saj trevjeçare. Dy-tri karrige të vjetra, një krevat i amortizuar, disa enë kuzhine dhe pak lodra të shpërndara në cep të dhomës janë gjithçka që përbën botën e tyre. Nuk ka pothuajse asnjë shenjë komoditeti apo sigurie. Varfëria është e pranishme në çdo cep. Për të renë, kjo nuk është thjesht një periudhë e vështirë, por pasojë e një vendimi të marrë kur ishte ende fëmijë.
“Isha nxënëse shumë e mirë. Notat i kisha 8ta dhe 9ta. Mësuesit më kanë mbështetur që të ecja përpara dhe as që e mendonin që unë të dashurohesha dhe të martohesha në moshë kaq të vogël. Isha në klasë të 8-të kur u njoha me këtë djalin. As dy javë dashuri, adoleshencë hesapi. Më pëlqeu dhe më rrëmbeu. Isha 14-vjeçe.”, - rrëfen ajo.
Ajo, që në fillim u duk si një histori dashurie, u kthye shpejt në një histori dhune, pendese dhe vuajtjeje.
"Burri ishte i pirë, më ka rrahur, sado që unë isha e sëmurë. Më ka shtrirë përdhe. Ka qenë edhe xhaxhai i tij në shtëpi, më ka ngritur edhe bluzën. Atje i thashë vetes ‘Stop! Boll durove.’. Jam veshur, kam marrë fëmijën dhe kam ikur… Në këtë moshë nuk merren kurrë vendime, është mosha më e gabuar për të marrë një vendim për jetën tënde, sepse shkatërrohet jeta komplet.”, - thotë ajo.
Për 19-vjeçaren, gjithçka nisi si një histori adoleshenteje, por përfundoi në dhunë fizike dhe psikologjike, duke e detyruar atë në fund të arratisej për të shpëtuar veten dhe fëmijën. Sot, ajo e di se çfarë do të thotë të humbësh fëmijërinë.
Kjo nuk është thjesht një histori e izoluar, por një pasqyrë e dhimbshme e realitetit shqiptar, ku qindra vajza shkëmbejnë shkollën dhe ëndrrat me një realitet të hidhur. Historitë që dëgjojmë nga Korça, Maliqi, Devolli, Cërriku nuk ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra në thelb, edhe pse rrugët që i çojnë drejt tyre janë të ndryshme: nga varfëria, tek papjekuria e deri tek pesha e paragjykimit.
Një tjetër grua, që ëndërronte të bëhej avokate në zonën juglindore të vendit, u martua 15 vjeçe për shkak të varfërisë ekstreme. Në vend të shkollës, gjeti punë pa asnjë moment pushimi, gjeti dhunë dhe nënshtrim. .
“Unë asnjëherë nuk kam qenë në shkollë. Kemi qenë shumë të varfër. Kisha pasion të bëhesha avokate, por nuk arrita kurrë. 15 vjeçe u martova, 16 vjeçe linda fëmijën e parë. Thosha se burri do të më plotësojë kushtet, do të kem një jetë më të bukur, më të mirë, por unë u zhyta më keq. Dhe aty filloi gjithçka tjetër. Vinin kunatat, njerëzit e burrit, luanin, qeshnin, unë vetëm i shikoja e vazhdoja punën.”, - rrëfen ajo.
"Kur shkova te mami për ndihmë, më tha se nuk mund të më mbante.", - kujton ajo, sot e zhytur në borxhe dhe pa energji elektrike.
“Kam jetuar edhe gjashtë vite në Francë. duke punuar pa pushim. Fëmijët i lija në gjumë dhe i gjeja në gjumë." Sot ajo jeton në kushte ekstreme mbijetese, me borxhe dhe pa energji elektrike. Frika se mund t'i ndërpritet edhe furnizimi me ujë është bërë pjesë e përditshmërisë së saj. Për fat të keq, nga varfëria esktreme u zhyt më shumë në një varfëri të tejskajshme. "Po të kisha këto mend që kam sot, nuk do të isha martuar kurrë. Shijojeni jetën, mos nxitoni.", - është mesazhi që ajo u drejton vajzave të reja.
Ndërsa një vajzë 17-vjeçare, e rritur në një familje të divorcuar, u martua, sepse ndjente se "po i kalonte mosha" dhe donte t’i shpëtonte presionit shoqëror. Martesa përfundoi në divorc, duke e lënë atë të vetme përballë sfidës së rritjes së fëmijës.
Të treja këto gra të reja kanë një mesazh të qartë për brezin e ri: “Shijojeni jetën, mos nxitoni. Shkollohuni dhe merrni vetë vendimet e duhura për veten.”
UNFPA (Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues) në Shqipëri vazhdon të kërkojë ndryshime rrënjësore në shoqërinë shqiptare. Martesat e hershme nuk janë vetëm një "gabim" personal, janë një problem strukturor, që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Përveç përmirësimit të kuadrit ligjor për të ndaluar në mënyrë të prerë çdo martesë nën moshën 18 vjeç dhe fuqizimit të shërbimeve sociale, ku punonjësit socialë në terren duhet të mos presin që martesa të ndodhë, por të ndërhyjnë kur rreziku është i pranishëm, arsimimi e shkolla duhet të jetë misioni dhe vendi ku vajzat ndërtojnë të ardhmen. Parandalimi i braktisjes së shkollës është arma më e fortë kundër varfërisë dhe martesave të hershme.
Çdo martesë e hershme është një ëndërr e lënë përgjysmë. Është një cikël varfërie që trashëgohet te fëmijët dhe adoleshentët, duke e mbajtur shoqërinë tonë të kapur pas mentaliteteve të vjetra. Nëse nuk ndryshojmë qasjen sot, dhjetëra vazja të tjera do të përballen me të njëjtin fat. Ndalo, mendo dhe lëri vajzat e djemtë të gëzojnë fëmijërinë dhe të drejtën për arsimim./UNFPA Albania


