Nga Mirdita në Shkodër, Elbasan e Lezhë, gjimnazistët bllokojnë mësimin e dalin në protestë

Të rinjtë në zona të ndryshme të vendit kanë nisur të bojkotojnë mësimin ditën e sotme, në shenjë solidarizimi me bashkëmoshatarët e tyre që po protestojnë në Tiranë.
Në Lezhë, të rinjtë kanë nisur marshimin në rrugët e qytetit, teksa u bëjnë thirrje të gjithëve që t'u bashkohen. Në terren ndodhen edhe forcat të shumta policore, me qëllim ruajtjen e sigurisë dhe rendit.
Të njëjtin veprim e kanë kryer dhe të rinj në Mirditë, të cilët po ashtu kanë bojkotuar procesin mësimor dhe kanë marshuar në rrugë. Këtu janë shënuar edhe tensione, pasi gjatë tubimit, ata kanë djegur goma në rrugë, duke bllokuar qarkullimin.
Edhe në Elbasan e Shkodër, gjimnazistët kanë dalë në rrugë, duke bërë thirrje për protesta masive.

