Në kulmin e protestave, kryeministri Rama lëviz i ruajtur nga forcat speciale RENEA

Një lëvizje e pazakontë dhe me masa të rrepta sigurie është regjistruar në qendër të kryeqytetit, ku makina e Kryeministrit Edi Rama është larguar nga godinë e Kryeministrisë nën një monitorim të rreptë.
Pamjet e siguruara tregojnë momentin kur automjeti i kreut të ekzekutivit, i shoqëruar si zakonisht nga eskorta zyrtare e Gardës së Republikës dhe patrulla e Policisë së Shtetit, ka përshkruar bulevardin kryesor për t’u drejtuar si duket drejt banesës së tij në Surrel.
Ajo që ka rënë menjëherë në sy dhe që ka ngritur pikëpyetje të mëdha është prania e menjëhershme e një njësie të Forcave Speciale RENEA.
Një furgon i blinduar i repartit elitë RENEA është parë të ecë paralelisht me mjetet e tjera të eskortës presidenciale, duke krijuar një perimetër mbrojtës të çeliktë rreth kryeministrit. Burime pranë grupit të shoqërimit bëjnë me dije se prania e forcave speciale është urdhëruar për të garantuar një shkallë maksimale sigurie dhe për t'iu përgjigjur me shpejtësi çdo situate të papritur apo incidenti të mundshëm gjatë rrugëtimit.
Këto masa të jashtëzakonshme vijnë në një kohë kur situata politike dhe sociale në vend është mjaft e tensionuar, ndërsa mbetet e paqartë nëse kjo përforcim i mbrojtjes vjen pas ndonjë sinjali apo alarmi konkret për sigurinë e kreut të qeverisë.


