Pamjet e dhunës ndaj të rinjve në protestë, pezullohen nga detyra dy efektivët e Komisariatit Nr.3

Menjëherë pas transmetimit të pamjeve filmike në rrjetet sociale, ku dy punonjës policie shfaqen duke përdorur forcë të jashtëligjshme gjatë ndërhyrjes në tubimin në Tiranë, Policia e Shtetit ka marrë masa të menjëhershme administrative dhe disiplinore:
REAGIM I POLICISË SË SHTETIT
Menjëherë pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen dy punonjës policie në tejkalim të detyrës dhe të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy punonjësve të Policisë, konkretisht:
Inspektor E. P. dhe Inspektor T. Ç., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.
Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për të dy punonjësit e Policisë.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të saj.
Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve.


