Lufta Rusi-Ukrainë, sulme të dyanshme me dronë dhe raketa, dhjetëra të plagosur

Rusia dhe Ukraina ka kryer sulme të ndërsjellta me dronë dhe raketa gjatë natës, duke shkaktuar viktima, të plagosur dhe dëme në infrastrukturën energjetike e atë të transportit.
Një sulm masiv me dronë në rajonin rus të Voronezhit ka shkaktuar vdekjen e dy burrave dhe plagosjen e 17 personave të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë. Lajmi u konfirmua të hënën nga guvernatori rajonal Alexander Gusev, i cili njoftoi se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar 113 dronë mbi rajon.
Sipas autoriteteve ruse, sulmet shkaktuan gjithashtu zjarre në disa objekte industriale. Një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Anapa drejt Moskës u dëmtua, ndërsa pesë udhëtarë mbetën të plagosur. Hekurudhat Ruse njoftuan pezullimin e qarkullimit të trenave nëpër rajonin e Voronezhit.
Ndërkohë, edhe Ukraina është goditur nga sulme të reja ruse. Në qytetin juglindor të Zaporizhzhisë, katër persona mbetën të plagosur gjatë natës, sipas guvernatorit rajonal Mykhailo Semikin. Dy persona të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore në rajonin e Chernihivit, njoftuan shërbimet ukrainase të emergjencës.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se forcat e saj kishin goditur një termocentral në Kharkiv, një depo në rajonin përreth dhe një tjetër objekt energjetik në rajonin Khmelnytskyi. Moska pretendoi gjithashtu se kishte shënjestruar infrastrukturën portuale në Chornomorsk dhe një anije mallrash pranë Odesës, të cilën e akuzoi se përdorej për qëllime ushtarake.


