Leku fiton terren, Euro në pikiatë, Banka e Shqipërisë bleu 664 milionë euro në gjashtëmujorin e parë

Aktualitet

Leku fiton terren, Euro në pikiatë, Banka e Shqipërisë bleu
Leku forcohet sërish përballë euros dhe dollarit amerikan, ndërsa monedha europiane zbret në 91,32 lekë. Banka e Shqipërisë vijon blerjet e valutës për të frenuar mbiçmimin, ndërsa rezervat valutore kanë arritur nivelin rekord prej 8,4 miliardë eurosh.

Leku shqiptar vijon të forcojë pozitat përballë euros dhe dollarit amerikan, ndërsa Banka e Shqipërisë ka intensifikuar blerjet e valutës për të frenuar mbiçmimin e mëtejshëm të monedhës kombëtare. Vetëm gjatë javës së fundit, euroja humbi 0,29 lekë, ndërsa dollari amerikan u zhvlerësua me 0,68 lekë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euroja e mbylli javën në nivelin 91,32 lekë, nga 91,61 lekë që këmbehej në fillim të saj. Ndërkohë, dollari amerikan zbriti në 81,20 lekë, nga 81,88 lekë.

Në të kundërt, paundi britanik shënoi një rritje të lehtë, duke u këmbyer me 108,37 lekë, nga 108,25 lekë në fillim të javës. Franga zvicerane gjithashtu humbi terren, duke zbritur në 98,33 lekë, nga 98,56 lekë.

Forcimi i lekut favorizon qytetarët dhe bizneset që blejnë mallra apo shërbime në valutë, por ushtron presion mbi eksportuesit dhe subjektet që i sigurojnë të ardhurat në euro.

Për të kufizuar mbiçmimin e mëtejshëm të monedhës vendase, Banka e Shqipërisë ka vijuar ndërhyrjet në tregun valutor përmes blerjeve të euros.

Gjatë viteve 2024–2025, banka qendrore bleu mbi 2 miliardë euro në tregun e brendshëm. Ndërkohë, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, blerjet arritën në 664 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord për këtë periudhë.

Këto ndërhyrje synojnë të zbusin luhatjet e kursit të këmbimit, të kufizojnë forcimin e lekut dhe njëkohësisht të rrisin rezervën valutore të vendit.

Sipas të dhënave të shtatorit, rezerva valutore e Shqipërisë arriti në rreth 8,4 miliardë euro, niveli më i lartë historik, duke regjistruar një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

ME TE LEXUARAT