Kush po merr më shumë borxh? Energjia, teknologjia dhe pronat dominojnë huamarrjen në tetor

Kredia e re për bizneset private u rrit ndjeshëm në tetor, por jo të gjithë sektorët përfituan njësoj. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se korporatat jofinanciare private morën gjatë muajit rreth 23.4 miliardë lekë kredi të reja, nga rreth 20 miliardë lekë në tetor të vitit të kaluar, me një rritje prej 17.2%.
Pjesën më të madhe të financimit vijon ta marrë tregtia. Bizneset e tregtisë me shumicë dhe pakicë morën rreth 7.9 miliardë lekë, ose afërsisht një të tretën e gjithë kredisë së re për biznesin. Krahasuar me një vit më parë, financimi për këtë sektor u rrit me 6.5%.
Pas tregtisë renditet ndërtimi, me rreth 4 miliardë lekë kredi të reja. Megjithatë, ndryshe nga totali, financimi për këtë sektor ra me rreth 9% në bazë vjetore. Në të kundërt, industria përpunuese mori rreth 2.5 miliardë lekë, ose 31.5% më shumë se një vit më parë.
Rritje të forta regjistruan edhe disa sektorë të tjerë. Kredia e re për energjinë u dyfishua, duke arritur në rreth 1.5 miliardë lekë, ndërsa financimi për informacionin dhe komunikacionin u rrit mbi katër herë, në rreth 1.3 miliardë lekë.
Edhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme dyfishuan kreditimin, në rreth 1.25 miliardë lekë.
Në anën tjetër, rënie të forta u regjistruan te transporti dhe magazinimi, me 61.6%, dhe te akomodimi dhe shërbimi ushqimor, me 58.3%. Industria nxjerrëse gjithashtu mori dukshëm më pak financim se një vit më parë.
Të dhënat e tetorit tregojnë kështu se, ndërsa kredia e re për bizneset po rritet në total, financimi po ecën me ritme shumë të ndryshme mes sektorëve, me tregtinë që ruan dominimin dhe energjinë, teknologjinë e pasuritë e paluajtshme që fitojnë terren.


