Skandali me patentat në Mitrovicë/ Zbulohet skema e mashtrimit me kufje në provim, 4 të arrestuar

Kosovë&Rajon

Skandali me patentat në Mitrovicë/ Zbulohet skema e mashtrimit me
Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të keqpërdorimit të testit me shkrim për patentë-shofer, ku dyshohet se kandidatëve u siguroheshin përgjigjet nga distanca përmes pajisjeve të komunikimit.

Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale në Mitrovicë-Jug.

Sipas Policisë, hetimet kanë nisur pas informacioneve të pranuara për përfshirje të disa personave në veprimtari të kundërligjshme, me qëllim që kandidatët të ndihmoheshin për ta kaluar testin me shkrim për patentë-shofer.

Më 31 gusht, Policia ka pranuar informacione se disa kandidatë dyshohej se do të hynin në test duke përdorur pajisje komunikimi.

“Pas ndërhyrjes së policisë, është ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit janë gjetur e konfiskuar pajisje që dyshohet se do të përdoreshin gjatë testimit”, thuhet në njoftim.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit janë kryer edhe bastisje në dy lokacione, por gjatë kontrolleve nuk janë gjetur sende të dyshuara.

Policia ka njoftuar se si prova materiale janë konfiskuar pajisje të komunikimit të vendosura tek dy të dyshuar, si dhe katër telefona mobilë.

Tutje thuhet se me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, katër persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa një person tjetër është liruar dhe ndaj tij rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

ME TE LEXUARAT