Tregu i transportit në krizë nga çmimi i karburantit, kaos në stacione dhe vonesa në kryeqytet

Dikush u bë vonë për në punë, ndërsa të tjerë u detyruan të prisnin gjatë për të mbërritur në destinacion. Reduktimi me deri në 30% i flotës së autobusëve urbanë në kryeqytet solli efektet e para të dukshme mëngjesin e kësaj të marte.
Autobusë të mbushur plot, ndërsa oraret e pritjes zgjatën ndjeshëm, duke i vendosur qytetarët përballë një zgjedhjeje, të prisnin autobusin apo të niseshin në këmbë, në kushtet e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Kjo situatë erdhi pas paralajmërimit të djeshëm të shoqatave të transportit urban qytetas.
Në një letër drejtuar institucioneve, ato njoftuan reduktimin e numrit të autobusëve, duke e argumentuar vendimin me çmimin e naftës, i cili, sipas tyre, vijon të mbetet i lartë dhe nuk po reflekton ulje në treg.
Shoqatave u ishte bërë me dije se, nëse situata e çmimit të karburantit do të vijonte të mbetej e rënduar edhe përtej periudhës mars-maj, kur operatorët u subvencionuan me 50 lekë për litër, do të mund të aplikohej një tjetër skemë subvencionimi.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një vendim zyrtar për një subvencionim të dytë./VizionPlus/


