Shuhet në moshën 72 vjeçare mjeku i UÇK-së, Bajram Koçi
Mjeku i njohur shqiptar i Kosovës, Dr. Bajram Koçi ka ndërruar jetë këtë të premte në moshën 72 vjeçare. Lajmin e trishtë e konfirmon Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, teksa i shpreh ngushëllimet familjes së kolegut.
Koçi ishte specialist i Anesteziologjisë dhe Reanimimit dhe ndër të parët mantelbardhë që dha kontribut të çmuar në themelimin e Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv në QKUK.
Ai për një kohë ishte edhe drejtor mjekësor në QKUK, duke kontribuar në themelimin dhe mbajtjen e shumë shërbimeve në Kosovën e pasluftës. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Dr. Bajram Koçi punoi edhe si specialist i Anesteziologjisë për shumë vjet.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Gjatë luftës së Kosovës, ai ishte një nga doktorët që mjekoi plagët e qindra luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Familja njofton se Varrimi i Dr. Bajram Koçi bëhet të shtunën ora 14:00, në varrezat e fshatit Polac të Skenderajt.
Njoftim - Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës
Me dhimbje dhe pikëllim pranuam lajmin për vdekjen e Dr. Bajram Koci, specialist i Anesteziologjisë dhe Reanimimit. Dr. Koci, ishte ndër të parët që dha kontribut të çmuar në themelimin e Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv në QKUK.
Për një kohë ishte edhe drejtor mjekësor në QKUK, duke kontribuar në themelimin dhe mbajtjen e shumë shërbimeve në Kosovën e pasluftës.
Në QKUK, punoi edhe si specialist i Anesteziologjisë për shumë vjet. ShSKUK, i shpreh ngushëllime familjes Koci, kolegëve dhe gjithë komunitetit mjekësor për këtë humbje të madhe.