Shtohen akuzat ndaj Gruevskit, dyshohet për përvetësimin e 1.3 milionë eurove nga donacionet e partisë

Kosovë&Rajon

Shtohen akuzat ndaj Gruevskit, dyshohet për përvetësimin e 1.3

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar në Shkup ka ngritur aktpadi kundër ish-kryeministrit të arratisur Nikolla Gruevski në bazë të dyshimeve lidhur me përvetësimin e 1.3 milionë eurove nga donacione të partisë (VMRO-DPMNE) dhe për blerjen e paligjshme të parcelave në lagjen elitare Vodno në kryeqytet.

Në mesin e gjashtë të akuzuarve është edhe ish-shefi i shërbimit sekret maqedonas, Sasho Mijallkov, i cili është në lidhje të ngushta familjare me Gruevskin.

Akuza është ngritur për ‘larje parash’ përmes kompanive ‘off-shore’, ndërsa lënda është hapur më parë nga ish-Prokuroria e Posaçme për vepra që datojnë nga qershori 2006 deri në tetor, 2012. Prokuroria themelore e krimeve ka propozuar konfiskimin e pronave problematike. Prokuroria njofton se Gruevski, të cilit në fakt i referohet me inicialet N.G., nuk e kishte deklaruar pronën prej mbi 11 mijë metrash katror në Vodno para organeve përkatëse, më saktë tek Komisioni antikorrupsion gjatë kohës sa ishte bartës i funksionit.

Ai nuk kishte deklaruar as pronësinë e dy banesave në qendër të Shkupit dhe parcela të tjera ndërtimi në Shkup e Krushevë. Gruevski, ndërkohë po bën dy vjet e gjysmë nga arratisja në Hungari, ku autoritetet e atjeshme i kanë dhënë strehim, teksa refuzojnë ekstradimin e tij. Ai njihet për lidhjet e afërta me kryeministrin Viktor Orban.

Gruevski është dënuar me dy vjet burg për veprën penale që kishte të bëjë me blerjen e një Mercedesi të blinduar prej rreth 600 mijë eurosh, e më pas, në mungesë, edhe me 1.5 vjet heqje lirie për nxitjen e dhunës në komunën “Qendër” të Shkupit. Ai dyshohet edhe si krye-organizator i ngjarjeve të dhunshme në parlamentin e Maqedonisë së Veriut në prill, 2017, por zyrtarisht nuk është ngritur akuzë për këtë. Në Shkup ka pasur mjaft debate dhe akuza për arratisjen e ish-kryeministrit, por askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë./TopChannel

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion