Rrëmbimi i policëve nga serbët, ish-komandanti i forcave të sigurisë: Forcat speciale kanë hyrë gjatë natës!

Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati ka komentuar rrëmbimin e 3 policëve nga pala serbe në kufi, ku tha se kjo e fundit ka hyrë në territorin e Prishtinës gjatë natës dhe se operacioni ka qenë i planifikuar. “Kjo nuk mund të quhet arrestim sepse forcat speciale të Serbisë kanë hyrë brenda territorit të Kosovës. Sipas informatave që unë i kam, ata kanë hy disa orë më herët, derisa ka qenë nata janë pozicionuar në pozicione të ndryshme dhe kanë qenë një operacion i planifikuar, i urdhëruar nga zinxhir komandues i tyre apo nga Beogradi zyrtar. Ata kanë hyrë me qëllim që t’i kidnapojnë këta policë”, ka thënë ai. Ndër të tjera ai tha se policët e rrëmbyer nuk janë dërguar në Beograd por mund të mbahen në Rashkë, ku merren në pyetja nga organet e sigurisë së Serbisë.
“Unë mund të supozoj bazuar në eksperiencën time se ata janë në Rashkë, ata nuk i kanë çu në Beograd…Ata mbahen aty në burgun e Rashkës, merren në pyetje prej organeve të inteligjencës dhe të sigurisë së Serbisë”, ka thënë Kastrati në “Frontal” të T7, citon Express.


