Prishtina në këmbë kundër Hagës – Studentë dhe qytetarë në protestë, dënojnë vendimin për ish-krerët e UÇK-së

Një grup studentësh dhe qytetarësh janë mbledhur në Prishtinë në shenjë proteste ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta ka nisur në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa pjesëmarrësit kanë marshuar nëpër qendër të kryeqytetit me flamuj dhe pankarta në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje “UÇK, UÇK, UÇK”, ndërsa protestuesit kanë kërkuar që procesi gjyqësor të vijojë në Gjykatën e Apelit.
Në pankartat e protestuesve janë shfaqur mesazhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, mes tyre “Jo në emër të studentëve”, dhe “Nuk ka gjyq që ju gjykon në emër të popullit. Të pafajshëm përgjithmonë!”.
Grupi i studentëve të Universitetit të Prishtinës po protestojnë në sheshin e kryeqytetit, si shenjë revolte ndaj verdiktit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte.
Protesta zhvillohet një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim.


