Pengim i drejtësisë/ Sa vite burg po kërkohen për Hashim Thaçin ne Hagë?

Procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Hagës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, vijon sot në orën 10:30 me përballjen e palëve përmes përgjigjeve dhe komenteve mbi deklaratat përfundimtare lidhur me akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Kërkesat e Prokurorisë për dënimet me burg:
Hashim Thaçi: 6 vjet burgim.
Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu: nga 3 vjet burgim secili.
Hajredin Kuçi: 9 muaj burgim.
Të gjitha pretendimet e organit të akuzës janë hedhur poshtë nga ekipet mbrojtëse, të cilat i kanë kërkuar trupit gjykues shpalljen e pafajësisë absolute për të gjithë të akuzuarit.
Gjatë parashtrimeve përfundimtare, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, argumentoi se provat e Prokurorisë janë të pabazuara dhe se nuk ka ekzistuar asnjë grup apo strukturë e organizuar me synim pengimin e drejtësisë. Mbrojtja nënvizoi gjithashtu se ish-presidenti ngarkohet me akuza që lidhen vetëm me pretendime për “tentativë ndërhyrjeje” dhe jo me kryerjen konsoliduar të ndonjë vepre penale.


