'Pa maska, me fytyrat tona', Prishtina në protestë pas vendimit për ish-krerët e UÇK-së

Kosovë&Rajon

'Pa maska, me fytyrat tona', Prishtina në protestë pas
Prishtina hyn sot në ditën e dytë të protestave pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Pas tubimeve spontane që vijuan deri në mbrëmje para Qeverisë së Kosovës dhe selisë së EULEX-it, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur një tjetër protestë në orën 12:00 në sheshin "Skënderbeu", ndërsa paralelisht PDK pritet të dorëzojë në Kuvend nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

"Protesta jonë që organizohet nesër është paqësore, jo e dhunshme, pa maska, me fytyrat tona. Kemi çka me tregu boll, fytyrat i kemi të ndershme, s'kemi nevojë fare të vendosim maska në protestë.

Dje u dënua lufta jonë për çlirim dhe u provua të bëhet një balancë mes asaj që ka ndodhur në luftën tonë në vitet '98-'99. UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale, ishte rezistenca e popullit tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje", deklaroi Gazmend Syla pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të OVL-UÇK-së.

Organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar edhe krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme, përmes së cilës synojnë të kundërshtojnë aktgjykimin deri në përfundimin e procesit të apelit.

Sipas Sylës, në këtë nismë synohet përfshirja e institucioneve të Kosovës, partive parlamentare, shoqërisë civile, Shqipërisë, shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës, si dhe mërgatës.

Protesta pati edhe mbrëmjen e së enjtes ku ishte i pranishëm edhe ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

"Populli i Kosovës, çlirimtarët e vet i ka shpallur të pafajshëm, sepse e dinë që ata janë më meritorët për lirinë që e gëzojmë. Prandaj, kjo gjykatë ka degraduar skajshëm, është jashtë asaj çka kemi besuar dhe ne do bëjmë çmos për ta përmirësuar gabimin e pafalshëm të cilin ata e kanë bërë dje. Ata janë ikonat e lirisë tonë dhe nuk ka gjykatë në botë që mundet t'i shpallë fajtorë për ato imagjinata të shfrenuara të cilat i kemi dëgjuar dje. Këto protesta, që janë edhe spontane, janë dëshmia më e mirë se ne të gjithë jemi me ta' , tha Krasniqi.

Në mesin e protestuesve ishte edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe tha se beson në pafajësinë e ish-drejtuesve të UÇK-së.

"Faleminderit prej gjithë popullit shqiptar për mbështetjen. Populli është me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja është e pastër dhe besojmë në pafajësinë e të gjithë çlirimtarëve tanë", u shpreh ai.

Përveç protestës së paralajmëruar për mesditën e sotme, dita pritet të shoqërohet edhe me një zhvillim politik në Kuvendin e Kosovës. Sipas burimeve të KosovaPress, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Nisma vjen në kohën kur janë shtuar diskutimet politike rreth funksionimit dhe mandatit të Dhomave të Specializuara pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Pas vendimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, zhvilloi edhe një takim me kryeministrin Albin Kurti. Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, në takim u diskutuan rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen pas aktgjykimit, ndërsa u theksua edhe mundësia që vendimi të ndryshojë në shkallën e apelit.

Dhomat e Specializuara shpallën më 16 shtator aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Në dënimet e shqiptuara llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Trupi Gjykues i shpalli ata fajtorë për disa akuza, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Sipas aktgjykimit, Prokuroria e Specializuar nuk arriti të dëshmonte përtej dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer një sulm i përhapur ose sistematik kundër popullatës civile.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion