Kosova e kërcënuar nga varianti “Delta”, mjekët japin parashikimin: Do shpërthejë në fund të gushtit

Kosova është e rrezikuar nga varianti “Delta”. Mjekët në një deklaratë të fundit kanë paralajmëruar se ky variant do të shpërthejë në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit, ndërsa vaksina shihet si shpresa e vetme.
“Edhe Kosova sikur edhe tërë rruzulli tokësor është afektuar nga mundësitë e paraqitjes së valëve të reja me infeksion me COVID-19. Mirëpo mjeti më i suksesshëm, më i saktë dhe i domosdoshëm është vaksinimi. Ndonëse fillimi i korrikut është duke shkuar në mënyrë të qetë, kjo nuk guxon assesi neve të na jep komoditetin dhe të mendojmë se është larguar rreziku”, theksoi Arben Vishaj, ushtrues i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive
Në anën tjetër, Driton Vela ka thënë se vala e re mund të parandalohet me vaksinim më masiv se që është duke u bërë tani.
“Diku rreth 19 për qind e popullatës së rritur është e vaksinuar me një dozë, që është solide por e pamjaftueshme për tu mbrojtur nga varianti Delta, prandaj qytetarët duhet të vaksinohen sa më shumë. Qytetarët duhet ta shfrytëzojnë rastin për tu vaksinuar, sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që ta krijojmë të ashtuquajturin mur kundër variantit Delta”. Ai tha se nëse merren për bazë përvoja nga shtetet tjera, në Kosovë mund të presim që në fund të gushtit ose fillim të shtatorit të dominojë varianti Delta i COVID-19.


