Kosova dhe Bahamas nënshkruajnë marrëveshje për heqjen e ndërsjellë të vizave

Kosovë&Rajon

Kosova dhe Bahamas nënshkruajnë marrëveshje për heqjen e

Kosova dhe Bahamet kanë nënshkruar marrëveshje për heqjen e ndërsjellë të vizave për qytetarët e dy vendeve, njoftoi të martën Presidenca e Kosovës.

Sipas Presidencës, ky vendim dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Bahameve, si dhe për thellimin e lidhjeve mes qytetarëve të dy shteteve. “Ky hap i afron edhe më shumë qytetarët tanë me njëri-tjetrin”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.

Heqja e vizave vjen vetëm një muaj pasi Bahamet njohën pavarësinë e Kosovës, duke u bërë vendi i 121-të në botë që e njeh shtetin e Kosovës. Presidenca sqaroi se kjo marrëveshje ishte paraparë që në dhjetor, kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Bahameve, Philip Davis, nënshkruan marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Deri më tani, Bahamet ishin në mesin e 106 vendeve ku qytetarët e Kosovës kishin nevojë për vizë për të udhëtuar. Me këtë marrëveshje, Bahamet bëhen vendi i 53-të në botë ku kosovarët mund të udhëtojnë pa viza.

Në vitet e fundit, vendime të ngjashme për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës kanë marrë edhe vende si Tajvani dhe Malajzia.

ME TE LEXUARAT