Kërcënoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti, arrestohet i dyshuari

Njësitet e Policisë së Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), kanë arrestuar një person të dyshuar për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas Policisë, pas identifikimit dhe lokalizimit të të dyshuarit, ai është arrestuar nën dyshimin se përmes një rrjeti social ka kanosur kryeministrin.
“Njësitet policore në koordinim me PSRK-në, pasi kanë identifikuar dhe lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarit mashkull kosovar, të njëjtin e kanë arrestuar për shkak se përmes rrjetit social ka kanosur kryeministrin”, thuhet në raportin policor.
Policia njofton se i dyshuari, para arrestimit, ka kanosur edhe zyrtarët policorë që kanë qenë të përfshirë në operacion.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti është duke u hetuar nga autoritetet kompetente.


