Ish-ministri Kuçi në Hagë: Jam i pafajshëm, aktakuza prek dinjitetin tim njerëzor e profesional

Kosovë&Rajon

Ish-ministri Kuçi në Hagë: Jam i pafajshëm, aktakuza prek

Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për pengim në administrim të drejtësisë nga Dhomat e Specializuara në Hagë. 

Ai ka thënë se dita e sotme është një prej momenteve më të errëta për të si njeri i drejtësisë, si profesor i drejtësisë, ish-zëvendëskryeministër e ish-ministër i Drejtësisë për disa mandate.

“Më lejoni të jem i qartë, unë nuk kam bërë asnjë vepër penale, jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat. Në aktakuzë jam me presidentin Hashim Thaçi, më lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi vite të gjata, dhe kemi punuar gjatë. Gjatë tërë punës së bashku kemi punuar dhe udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj dhe kemi besuar në drejtësi”, tha Kuçi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Specializuar, Kuçi e quajti si prekje të dinjitetit të tij njerëzor, profesional dhe reputacionit të tij. Ai theksoi se nuk është takuar me dëshmitarë sa ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit.

“Edhe në kohën sa isha në ekipin mbrojtës, edhe atëherë kur kam pas mundësi që përmes ligjit dhe protokollit të kësaj gjykate të takohem me dëshmitarët, këtë të drejtë nuk e kam shfrytëzuar asnjëherë, çka mund të vërtetohet. Nuk kam dashur që të fitohet perceptim për ndonjë keqkuptim eventual”, shtoi Kuçi.

Ndërkohë, aktakuzën ndaj tij e lexoi sekretarja e gjykatës sipas së cilës, ekziston dyshimi i bazuar mirë që Hajredin Kuçi mban përgjegjësi penale sipas nenit 163 të ligjit për kryerjen e veprës penale të mosbindjes së gjykatës në pikën 19, sipas nenit 17 të kodit penal të Kosovës, marrëveshje për kryerje me Hashim Thaçin të veprës penale të mosbindjes ndaj gjykatës në pikën 18 të kodit penal të Kosovës.

E prokurori i specializuar tha se ka dyshime që Kuçi ka marrë detyrë nga Thaçi për të kontaktuar me dëshmitarët, mbi të cilën është ngritur aktakuza për mosbindje ndaj gjykatës.

 

ME TE LEXUARAT