Ish-ministri i Mbrojtjes Vuçevic mandatohet si kryeministër i ri i Serbisë

Kosovë&Rajon

Ish-ministri i Mbrojtjes Vuçevic mandatohet si kryeministër i ri i

Millosh Vuçeviq, ish-ministri serb i Mbrojtjes, njëherësh udhëheqës i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.

Kështu njoftoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes një postimi në Instagram.

Në vendimin, që u nënshkrua nga Vuçiqi, u tha se Millosh Vuçeviq deri më tani ka kryer me përgjegjësi detyrat e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes “duke treguar se ka dedikim dhe ekspertizën e nevojshme për të kryer funksionin e kryeministrit”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Besoj se Millosh Vuçeviqi ka kualitetit profesionale dhe personale për të kryer detyrën e kryeministrit dhe ai më siguroi se mund të zgjedhë një qeveri”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se kryeministri i ri i Serbisë “do të vazhdojë të zbatojë programet që synojnë të rrisin standardin e jetesës të të gjithë qytetarëve, projekte në fushën e shëndetësisë, arsimit, shkencës dhe teknologjisë, zhvillimin e infrastrukturës, ekologjisë, energjisë bujqësisë, turizmit si dhe në fusha të tjera të rëndësishme për të ardhmen e Serbisë dhe përparimit të saj në rrugën evropiane”.

Ndër detyrat e kryeministrit të ardhshëm serb do të jetë organizimi i panairit botëror, EXPO 2027, si dhe ruajtja e paqes, stabilitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.

“Ruajtja e paqes dhe stabilitetit, integritetit territorial të Serbisë konsiston në respektimin e ligjit ndërkombëtar, bashkëpunimin rajonal dhe përkujdesje ndaj interesave thelbësore të Serbisë do të vazhdojnë të jenë prioritetet për punën e Qeverisë”, tha Vuçiq.

Afati i fundit për formimin e Qeverisë së Serbisë është 90 ditë nga data e konstituimit të Parlamentit serb.

Vuçeviq ishte zgjedhur në postin e zëvendëskryeministrit të Serbisë dhe ministrit të Mbrojtjes në tetor të vitit 2022.

Para kësaj, ai kishte shërbyer si kryetar i Novi Sadit nga shtatori i vitit 2012 deri në tetor të vitit 2022.

Ai u zgjodh kryetar i SNS-së në maj të vitit 2023, kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u largua nga udhëheqja e partisë.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi u mbajtën në dhjetor të vitit 2023.

Lista e SNS-së me partnerët e koalicionit “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk duhet të ndalet”, fitoi 46.75 për qind të votave, apo 129 ulëse në Parlamentin prej 250 ulësesh.

E dyta në zgjedhje doli lista opozitare “Serbia kundër dhunës” me 23.66 për qind të votave, apo 65 mandate në Parlament.

Një pjesë e opozitës akuzoi Qeverinë për mashtrime zgjedhore, akuza që janë hedhur poshtë nga udhëheqja shtetërore dhe SNS-ja.

Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut e OSBE-së në raportin e publikuar më 28 shkurt tha se kushtet nuk ofruan barazi për të gjithë në zgjedhje sepse ato u mbizotëruan nga pjesëmarrja e presidentit të shtetit, Aleksandar Vuçiq.

Në raportin final po ashtu u tha se ka pasur presion ndaj punëtorëve të sektorit publik për të votuar për Qeverinë, ka pasur keqpërdorim të burimeve publike në favor të pushtet dhe Vuçiq po ashtu ka dominuar mediat.

Më 8 shkurt, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkon hetim ndërkombëtar për parregullsitë e raportuara për zgjedhjet e dhjetorit të mbajtura në Serbi./rel

ME TE LEXUARAT