Incidente kundër shqiptarëve në Kumanovë, digjen 1 makinë dhe 1 dyqan, reagon BDI: Një papërgjegjshmëri dhe krizë e rrezikshme

Kosovë&Rajon

Incidente kundër shqiptarëve në Kumanovë, digjen 1

Një seri e zjarrvënieve të qëllimshme janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Kumanovës. Një lokal afarist, disa makina dhe si pasojë edhe një pjesë e një shtëpie janë përfshirë nga zjarret që dyshohet se janë vënë qëllimisht.

I është vënë flaka zyrës për kontabilitet dhe përkthime gjyqësore përball Gjykatës Themelore në Kumanovë. E njëjta si subjekt rezulton në emrin e Fitor Jakupit, këshilltar në Kuvendin Komunal të Kumanovës.

Disa me tra më lart përball lokalitetit Garnizon i është vë flaka makinës së prokurorit të lartë, Xhelal Bajrami. Dyshohet se zjarri i është vënë makinës përmes disa shisheve që nuk përjashtohet mundësia që të jenë koktej molotovi.

Makina ka tentuar t’i digjet edhe një koloneli me inicialet E.D, por që është përfshirë vetëm pak nga flaka dhe pa pasoja.

Ndërkohë një tjetër makinë e cila është djegur si rezultat i këtij akti, në flakë është përfshirë edhe një shtëpi fasada e të cilës mësohet se është djegur pjesërisht por që zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë.

Jo zyrtarisht mësohet se në asnjë prej vendeve ku është vënë zjarri nuk kanë punuar kamerat e sigurisë, pikërisht në momentet e zjarrvënies.

Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që të dyshuarit të kenë përdorur bllokues të kamerave, përkatësisht bllokues të internetit që ndërpret filmimet në kamerat e sigurisë. Prokurorët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa një pjesë e makinave të djegura janë konfiskuar si prova materiale për hetimet e mëtejshme.

 

Pas ngjarjes ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Në një deklaratë të tyren ata shprehen se kjo është një papërgjegjshmëri dhe një krizë e rrezikshme që po përkeqësohet çdo ditë.

Deklarata e plotë

Ngjarjet e rënda që ndodhën mbrëmë në Kumanovë, ku disa makina dhe një dyqan të shqiptarëve u dogjën, janë dëshmi e hidhur e frymës së urrejtjes dhe ndasive ndëretnike që kjo qeveri jolegjitime ka krijuar. Kjo nuk është më vetëm papërgjegjshmëri apo dështim – kjo është një krizë e rrezikshme që po përkeqësohet çdo ditë.

Kur qeveria nuk arrin të garantojë sigurinë e qytetarëve të saj dhe kur institucionet heshtin përpara veprimeve të tilla të urrejtjes, mesazhi që dërgohet është i qartë: shqiptarët në këtë vend janë të lënë në mëshirën e fatit. Kjo qasje nuk është vetëm diskriminuese, por edhe thellësisht destabilizuese për të gjithë shoqërinë.

Bashkimi Demokratik për Integrim bën thirrje për ndërhyrje urgjente nga faktori ndërkombëtar. Qartë është bërë e ditur se nga kjo qeveri e verbuar dhe e njëanshme nuk mund të presim as drejtësi dhe as përgjegjësi.

Vetëm një presion ndërkombëtar mund të ndalojë këtë spirale të rrezikshme të dhunës dhe urrejtjes, e cila po kërcënon paqen dhe stabilitetin në vend.

Ne kërkojmë që këto sulme të hetohen menjëherë dhe autorët të sillen para drejtësisë. Çdo ditë vonesë është një ftesë për ata që përhapin urrejtje për të vazhduar me aktet e tyre të turpshme.

Shqiptarët nuk do të qëndrojnë më të heshtur përballë kësaj padrejtësie, dhe ne do të përdorim çdo mjet demokratik për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve tanë.

Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të jetë zëri i shqiptarëve dhe mbrojtës i paqes dhe stabilitetit në këtë vend. Por qartazi, kjo luftë për drejtësi dhe barazi nuk mund të vazhdojë vetëm. Faktori ndërkombëtar duhet të reagojë tani, para se kjo urrejtje të marrë përmasa edhe më të rrezikshme.

ME TE LEXUARAT