Horror në Greqi/ Gjendet trupi i një gruaje të pajetë brenda një valixheje

Një ngjarje tronditëse është zbuluar në lagjen Kypseli të Athinës, ku trupi i një gruaje britanike u gjet brenda një valixheje në një ndërtesë të braktisur. Zbulimi u bë muajin e kaluar nga një burrë i pastrehë, ndërsa autoritetet greke kanë nisur hetimet në bashkëpunim me Policinë e Skocisë.
Sipas mediave greke, viktima dyshohet të jetë Elisabeth-Jane Ross, 38 vjeçe, e cila besohet se kishte udhëtuar nga Qipro drejt Greqisë pak kohë përpara ngjarjes. Hetuesit vlerësojnë se ajo kishte ndërruar jetë pesë deri në shtatë ditë para se trupi i saj të zbulohej.
Policia greke bëri të ditur se identifikimi u krye përmes gjurmëve të gishtërinjve, të cilat përputheshin me të dhënat e Interpolit për një shtetase britanike të lindur në vitin 1988.
Shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë, ndërsa autoritetet janë në pritje të rezultateve të ekspertizës mjeko-ligjore. Paralelisht, nga autoritetet britanike janë kërkuar informacione shtesë për lëvizjet e viktimës, kohën e mbërritjes së saj në Greqi dhe personat me të cilët mund të ketë udhëtuar.
Policia greke theksoi se, për shkak se hetimet janë ende në zhvillim, nuk mund të japë më shumë detaje mbi rrethanat e ngjarjes.


