Greqia me paketë të re masash / 400 euro për pensionistët, 500 euro bonus administratës dhe pagë minimale 1,000 euro

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka prezantuar një paketë të gjerë masash ekonomike dhe sociale gjatë fjalimit të tij në Qendrën e Konferencave “Vellidio”, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Selanikut (DEO)
Fjalimi nisi me një minutë heshtje në nderim të dy pilotëve të Forcave Ajrore Greke, të cilët humbën jetën ditën e sotme pas rrëzimit të një avionic luftarak Phantom në Tanagra.
“Mendimet tona janë me familjet e dy pilotëve”, deklaroi Mitsotakis, duke theksuar se shteti, në koordinim me kryetarin e Parlamentit, do të qëndrojë pranë familjeve të viktimave.
Më pas, kryeministri prezantoi atë që e cilësoi si udhërrëfyesin për vitin 2027, me një plan masash që synon rritjen e të ardhurave dhe lehtësimin e barrës fiskale për qytetarët.
Masat për profesionistët dhe bizneset e vogla
Parashikohet heqja e taksës së aktivitetit për bizneset në rajone dhe reduktimi i saj me 50% në Atikë në vitin 2028, përpara heqjes përfundimtare në vitin 2029.
Fermerët dhe blegtorët
Për fermerët, kryeministri njoftoi rritjen e pragut të patatueshëm në 20 mijë euro, masë që sipas tij prek rreth 50 mijë prodhues.
Për blegtorët, qeveria do të kërkojë fonde shtesë europiane, ndërsa Mitsotakis deklaroi se tufat e humbura do të rikthehen së shpejti.
Pensionet dhe administrata publike
Për pensionistët, ndihma vjetore e nëntorit do të rritet nga 300 në 400 euro për personat mbi 65 vjeç.
Ndërsa për administratën publike, u njoftua një bonus prej 500 eurosh për 720 mijë punonjës, duke nisur nga viti 2027. Sipas kryeministrit, bëhet fjalë për një masë të përhershme që do të llogaritet edhe në pension.
Masat për familjet
Prindërit do të mund të hapin një llogari kursimi për fëmijët gjatë dy viteve të para pas lindjes. Shteti do të kontribuojë me të njëjtën shumë që depozitojnë prindërit, deri në 1,200 euro në vit.
Gjithashtu, Mitsotakis njoftoi zero taksë mbi të ardhurat deri në 20 mijë euro për familjet me tre fëmijë.
Pagat dhe energjia
Për punonjësit e sektorit privat parashikohet ulje e mëtejshme e kontributeve të sigurimeve.
Kryeministri tha se paga minimale do të kalojë 950 euro në vitin 2027, me objektiv arritjen e 1,000 eurove në janar 2028.
Ndërkohë, qeveria synon një ulje prej 30% të çmimit të energjisë elektrike gjatë tre viteve të ardhshme.
Për personat me aftësi të kufizuara u njoftua indeksimi i përfitimeve sociale.


