Pagat e magjistratëve vijojnë të mos ekzekutohen, reagojnë përsëri gjyqtarët dhe prokurorët

Aktualitet

Pagat e magjistratëve vijojnë të mos ekzekutohen, reagojnë

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar lidhur me vijimin e mosekzekutimit të pagave të magjistratëve, funksionarëve të organeve të drejtësisë dhe personelit të administratës gjyqësore e të prokurorisë.

Në një deklaratë të përbashkët, tre organizatat shprehin shqetësimin për mënyrën se si institucionet përgjegjëse po justifikojnë situatën, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për miratimin e ndryshimeve ligjore.

Sipas tyre, pas përfundimit të këtij afati, KLGJ dhe KLP kanë marrë vendimet përkatëse për konkretizimin e llogaritjes së pagave, në zbatim të mekanizmit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Organizatat kundërshtojnë kërkesën e Ministrisë së Financave drejtuar KLGJ-së dhe KLP-së për dërgimin e urdhërpagesave sipas formulës së mëparshme. Ato ngrenë pyetjen se mbi çfarë baze ligjore kërkohet zbatimi i një formule që, sipas deklarimeve publike të Ministrit të Drejtësisë, tashmë është shfuqizuar.

Gjyqtarët dhe prokurorët theksojnë se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të përdoret për të pezulluar efektet e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre, nisma e re ligjvënëse e depozituar nga dy deputetë nuk mund të justifikojë bllokimin e pagave dhe ekzekutimi i tyre nuk mund të mbetet në pritje të miratimit të një ligji të ri.

Në deklaratë kërkohet respektimi i vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe ekzekutimi i vendimeve të KLGJ-së dhe KLP-së, për sa kohë ato mbeten akte në fuqi.

Tre organizatat kërkojnë gjithashtu që çdo ndërhyrje e ardhshme ligjore nga Kuvendi të mos prodhojë një rezultat më të pafavorshëm për magjistratët sesa standardi i përcaktuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese.

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion