Emigrantë të dëbuar nga SHBA do të strehohen në Kosovë, Kurti: Ja procedura që do ndjekim

Emigrantë të dëbuar nga SHBA do strehohen në Kosovë.
Lajmi është konfirmuar nga kryeministri Albin Kurti i cili përmes një postimi në Facebook shkruan se brenda një viti në Kosovë do të strehohen rreth 50 persona.
"Si përgjigje ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë, sot e përkthyem në Vendim të Qeverisë, në mbledhjen tonë të 262-të.
Sipas këtij vendimi, shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik", shkruan Kurti.


