Avokati i Thaçit kundërshton vendimin e Hagës: “Dështim i drejtësisë”, do ta apelojmë

“Dështim i drejtësisë” – E cilësoi avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke paralajmëruar se vendimi do të apelohet. “Ky rezultat ishte i papërcaktuar. Kemi pasur dëshmitarë që ishin në terren dhe ndanë eksperiencat. Ata e bënë të qartë që Thaçi nuk kishte përgjegjësi dhe që kishte komandantë rajonalë”, tha ai për mediat pas vendimit.
Avokati kundërshtoi edhe interpretimin që gjykata i bëri strukturës, rolit të UÇK-së dhe historisë. “Kjo gjykatë rishkroi historinë duke thënë se ishte një organizatë kriminale. Do ta apelojmë”, deklaroi përfaqësuesi i Hashim Thaçit. Prosper e cilësoi aktgjykimin edhe si një “ditë të zezë për drejtësinë ndërkombëtare”, ndërsa ngriti pikëpyetje për të ardhmen e tribunaleve të këtij lloji. “Fundi i tribunaleve ndërkombëtare, sepse çfarë vendi do të nënshkruante një gjykatë si kjo ku do të pranoheshin 100 për qind e atyre që i ka thënë Prokuroria dhe asgjë nga mbrojtja”, tha ai.
Kritika pati edhe për formulimin e përdorur gjatë shpalljes së aktgjykimit, kur u tha se vendimi ishte marrë “në emër të popullit të Kosovës”. “Kjo është ofenduese, sepse nuk ishte në emër të popullit të Kosovës. Ata nuk i dëgjuan dëshmitë”, deklaroi Prosper.
Avokati shkoi edhe më tej, duke kërkuar që Kuvendi i Kosovës të shqyrtojë raportin me Dhomat e Specializuara. “Kuvendi i Kosovës duhet ta shikojë këtë. Nëse do të isha deputet i Kuvendit të Kosovës, do ta tërhiqja mbështetjen time për këtë gjykatë që nesër. Sepse, sipas mendimit tim, ky ishte një abuzim me procesin, një abuzim me drejtësinë”, tha ai.
Edhe mbrojtja e Kadri Veselit kundërshtoi aktgjykimin. Avokati tha se ishte thellësisht i zhgënjyer nga dënimi me 18 vjet burg dhe pretendoi se gjatë procesit nuk u provua përfshirja e Veselit në veprimtari kriminale. Edhe ai konfirmoi se vendimi do të kundërshtohet në shkallën e dytë.


