53 ligjvënës në Serbi kërkojnë shkarkimin e "deputetes antishqiptare"

Pesëdhjetë e tre deputetë të opozitës në Serbi i kanë dorëzuar kryeministrit Gjuro Macut një kërkesë zyrtare për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj lidhur me spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve `90.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili njoftoi se iniciativa është ndërmarrë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik (PVD).
Sipas Kamberit, iniciativës iu bashkuan edhe 47 deputetë të tjerë të opozitës, duke e çuar në 53 numrin e nënshkruesve të kërkesës drejtuar kryeministrit.
Në kërkesë, opozita vlerëson se ministrja Paunoviq, me deklaratat e saj, ka arsyetuar spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve nëntëdhjetë dhe se për këtë arsye nuk duhet të vazhdojë të ushtrojë funksionin qeveritar.
“Kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare dhe që promovon veprime jashtë ligjit dhe procedurave gjyqësore”, ka deklaruar Kamberi.
Ai paralajmëroi se, nëse Macut refuzon ta bëjë këtë, do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj dhe, sipas tij, për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë.
Kamberi gjithashtu kritikoi partitë e pakicave kombëtare që janë pjesë e koalicionit qeverisës, duke thënë se ato nuk e mbështetën iniciativën. Sipas tij, kërkesa nuk u përkrah nga partitë boshnjake të udhëhequra nga Usame Zukorliq dhe Rasim Lajiq, si dhe nga partia hungareze e udhëhequr nga Bálint Pásztor.


