Fshehën kok*inën në televizor, burg për dy shqiptarët në Britani (EMRAT)

Dy shqiptarë janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe, pasi u prangosën në kuadër të një hetimi për shpërndarjen e kokainës. Gjatë kontrolleve, policia gjeti më shumë se 10 mijë paund të fshehura brenda një televizori, së bashku me qindra doza kokaine.
Referuar njoftimit të ndarë nga Policia e Staffordshire bëhet fjalë për Mikele Bilalin 26 vjeç, dhe Ervin Hasën 25 vjeç, të cilët thuhet se u paraqitën më 2 tetor përpara Gjykatës së Kurorës në Stoke-on-Trent kur dhe u dënuan me burg.

Konkretisht bëhet me dije se Bilali u dënua me një vit e 10 muaj burg, pasi i riu ka pranuar para togave të zeza se ishte i implikuar në shitjen e kokainës, drejtim të automjetit pa leje drejtimi dhe drejtim pa siguracion. Ndërsa shqiptari i dytë, Hasa u dënua me tre vite burg, pasi pohoi akuzat që rëndonin ndaj tij për posedim të kokainës me qëllim shpërndarjen dhe përfshirje të tij në veprimtari kriminale.
Dyshja nga Shqipëria u vu në pranga pasi efektivët e policisë, gjatë patrullimit në zonën Boothen të Stoke-on-Trent, ndaluan një automjet të zi tip “Mercedes”, që drejtohej nga Bilali.
Hasa iu afrua automjetit dhe komunikoi me Bilalin, e brenda pak minutave të dy u prangosën nga polica britanike. Policia mësohet se gjeti në makinë telefona celularë të lidhur me Bilalin, ku kishte mesazhe që lidhen me shpërndarjen e drogës, si dhe çelësa të një banese që rezulton se përdorej nga Hasa, të cilit iu gjetën dhe 19 doza kokaine.
Kontrollet e ushtruara fizikisht në banesën e tyre, zbuluan rreth 10.700 paund të fshehura në një çantë të markës luksoze “Gucci”, brenda mobilies së televizorit. Sakaq mësohet se brenda një kutie videolojërash u gjetën edhe 1.000 paund të tjera, ndërsa në banesë u zbuluan më shumë se 210 qese me kokainë.
Drogë i është gjetur dhe Bilalit gjatë kontrollit në ambientet e paraburgimit, ku iu zbuluan 11 qese të vogla kokaine të fshehura në pantallona, të cilat janë sekuestruar.
Në total mësohet se policia ka sekuestruar 241 qese me kokainë, me një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 9.500 paundësh, e më shumë se 11.900 paund para në dorë.


