Filmi i ri “Dirty Dancing” nderon Patrick Swayze, përjashtohet rikthimi i aktorit me inteligjencë artificiale

Filmi i ri i “Dirty Dancing” do të nderojë kujtimin e Patrick Swayze, pa përdorur inteligjencën artificiale për ta rikthyer aktorin në ekran. Producentja Nina Jacobson ka theksuar se një nga sfidat kryesore të projektit është t’i japë publikut mundësinë të përjetojë sërish emocionet e lidhura me personazhin e tij.
Filmi origjinal, i publikuar në vitin 1987, solli në ekran historinë e dashurisë mes Johnny Castle, interpretuar nga Swayze, dhe Frances “Baby” Houseman, rol që i dha famë të madhe Jennifer Grey. Aktori u nda nga jeta në vitin 2009, në moshën 57-vjeçare, pas një beteje me kancerin e pankreasit.
“Një nga gjërat ku duhet të përqendrohesh vërtet është se si t’i lejosh njerëzit të vajtojnë për të përmes një filmi”, u shpreh Jacobson gjatë një paneli në samitin Future of Filmmaking 2026, më 17 tetor. Producentja e bëri të qartë se ekipi nuk ka ndërmend ta rikthejë aktorin përmes AI-së.
Vazhdimi do të sjellë sërish Jennifer Grey në rolin e Baby, ndërsa pjesa tjetër e kastit do të përbëhet nga aktorë të rinj. Detajet e historisë mbeten ende sekret, por Jacobson ka treguar se synimi është të rikrijohet ndjesia që përcolli filmi i parë, pa kopjuar atë që e bëri atë të veçantë.
“Është dashur kohë për të mbledhur njerëzit e duhur, të cilëve mund t’u besohej vazhdimi i trashëgimisë së filmit origjinal”, u shpreh më herët Grey, duke konfirmuar entuziazmin e saj për rikthimin në këtë projekt.
Aktorja kishte theksuar edhe më parë se askush nuk mund ta zëvendësojë një person që nuk jeton më dhe se magjia e filmit të parë nuk mund të përsëritet.
Sipas saj, historia e re duhet të sjellë diçka ndryshe, duke ruajtur njëkohësisht emocionet që e kthyen “Dirty Dancing” në një fenomen kulturor. Filmi origjinal u vlerësua jo vetëm për kiminë mes dy protagonistëve, por edhe për kolonën zanore të suksesshme. Kënga “(I’ve Had) The Time of My Life” fitoi çmimin Oscar për këngën më të mirë origjinale.


