"Më përndjekin në vendin tim", Gjykata e Tiranës vendos ekstradimin e aktivistes Julide Yazici drejt Turqisë

Aktualitet

"Më përndjekin në vendin tim", Gjykata e Tiranës

Gjykata e Tiranës ka vendosur këtë të mërkurë ekstradimin drejt Turqisë të aktivistes turke Julide Yazici, 32 vjeçe, e arrestuar në fillim të muajit gusht në aeroportin e Rinasit. Ajo kundërshton kthimin në vendin e saj, duke pretenduar se është viktimë e përndjekjes politike dhe se jeta e saj mund të jetë në rrezik, për shkak të qëndrimeve të saj kundër presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Yazici u arrestua në Rinas teksa udhëtonte nga Franca drejt Shqipërisë. Gjatë kontrolleve kufitare, autoritetet konstatuan se ajo ishte shpallur në kërkim nga zyra e Interpolit në Ankara.

Sipas autoriteteve turke, aktivistja është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në Stamboll me 4 vite e 2 muaj burgim për veprat penale “Dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste” dhe “Pjesëmarrje në organizatë terroriste”. Nga ky dënim, asaj i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 5 muaj e 22 ditë burg.

Me profesion mësuese, Yazici është e angazhuar në mbështetje të të drejtave të kurdëve dhe ka përfituar statusin e refugjates politike në Francë. Gjatë procesit gjyqësor në Shqipëri, ajo ka kundërshtuar ekstradimin, duke argumentuar se çështja ndaj saj lidhet me qëndrimet kundër presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Sipas mbrojtjes, dënimi i saj lidhet me faktin se kishte strehuar për një natë një kundërshtar të qeverisë turke, me kërkesën e një mikeshe. Aktivistja ka marrë pjesë gjithashtu në protesta në mbështetje të të drejtave të kurdëve dhe kundër qeverisë turke.

Yazici ka deklaruar se kthimi në Turqi do ta ekspozonte ndaj rrezikut, pretendim i mbështetur edhe nga avokatët e saj. Ajo ka vuajtur disa muaj burg në Turqi, përpara se të largohej drejt Francës, ku mori statusin e refugjates politike.

Më 21 gusht, Gjykata e Apelit në Shqipëri la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 32-vjeçares, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për një masë më të lehtë. Avokati i saj, Artan Shllaku, kishte kërkuar zëvendësimin e masës me arrest shtëpie, por kërkesa nuk u pranua.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës për ekstradimin vjen rreth dy muaj pas këtij zhvillimi gjyqësor. Megjithatë, vendimi nuk është ende i formës së prerë, pasi çështja mund të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion