E rëndë në Roskovec, plumba para portës së banesës, 22-vjeçarja denoncon ish-bashkëshortin: Na kërcënon me jetë

Aktualitet

E rëndë në Roskovec, plumba para portës së
Një ngjarje shqetësuese është regjistruar në fshatin Luar të Roskovecit, ku një 37-vjeçar është arrestuar nën dyshimin se ka qëlluar me armë zjarri pranë banesës së ish-bashkëshortes së tij, 22-vjeçares Aleksandra Elmazaj.

E reja ka rrëfyer për mediat momentet e frikshme të natës, kur ndodhej në shtëpi me motrën dhe vajzën e saj të mitur. Sipas dëshmisë së saj, rreth orës 00:48, familjarët dëgjuan të shtëna armësh, por nuk dolën jashtë nga frika.

Vetëm në mëngjes, pranë portës së banesës, 22-vjeçarja gjeti katër gëzhoja, pas së cilave njoftoi menjëherë policinë.

“Kemi një vajzë, ai më kërcënon mua dhe të dashurin tim”, ka deklaruar e reja, duke treguar se dyshimet e saj janë përqendruar te ish-bashkëshorti, Besmir Mustaj.

Sipas saj, çifti i kishte dhënë fund martesës pas pesë vitesh dhe kujdestaria e vajzës së mitur i ishte lënë asaj. Pas ndarjes, pretendon 22-vjeçarja, ish-partneri kishte vijuar ta shqetësonte dhe ta kërcënonte, si përmes telefonit, ashtu edhe duke u paraqitur pranë banesës.

E reja ka bërë të ditur se disa muaj më parë kishte kërkuar ndihmën e policisë dhe ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Ajo pretendon gjithashtu se konfliktet janë përshkallëzuar pas nisjes së një lidhjeje të re. Sipas dëshmisë së saj, ish-bashkëshorti ka shkuar edhe te banesa e partnerit të saj aktual, duke i kërkuar të largohej prej saj.

“Kam bërë denoncim në polici para dy-tre muajsh. Jam me urdhër mbrojtjeje. Tani jam në një lidhje tjetër dhe ai e ka kërcënuar edhe partnerin tim”, ka treguar 22-vjeçarja.

E frikësuar për sigurinë e saj dhe të vajzës, ajo i ka kërkuar autoriteteve të marrin masa për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Ndërkohë, policia ka arrestuar 37-vjeçarin Besmir Mustaj. Sipas të dhënave të bëra publike, ai dyshohet për veprat penale që lidhen me mbajtjen e armëve dhe municionit pa leje, dhunën në familje dhe veprimet në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa pretendimet e ngritura ndaj të arrestuarit mbeten objekt i procedurave ligjore.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion