Dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash, Ish-ministrja Olta Xhaçka, nën hetim nga SPAK

Ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, merret zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për dyshime për korrupsion dhe pastrim parash, në kuadër të hetimeve ku është përfshirë edhe bashkëshorti i saj, biznesmeni Artan Gaçi.
Në praninë e avokatit të saj, ish-ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka i është komunikuar zyrtarisht më datë 14 tetor nga Prokuroria e Posaçme se është person nën hetim për “akuzat e korrupsionit” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Xhaçka u paraqit në ambientet e SPAK të mërkurën, vetëm pak minuta pasi ambientet e godinës së xhamtë i kishte lënë bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi, i cili po ashtu është nën hetim për të njëjtat akuza.
Hetimi ndaj çiftit Xhaçka-Gaçi është duke u kryer nga prokurorët e posaçëm Ols Dado dhe Altin Dumani dhe lidhet me të dhëna që kanë ardhur nga jashtë vendit përmes letërporosisë.
Nga hetimet e deritanishme janë gjetur të dhëna që e implikojnë ish-ministren e Jashtme në afera korruptive dhe transaksione përmes kompanive të të shoqit. Artan Gaçi, ish-ligjvënës i mazhorancës, ka statusin e investitorit strategjik dhe po ndërton një resort turistik mbi një pronë që rezulton se është përfituar përmes falsifikimit.


