“Dhu'na nuk justifikohet me protestën”, reagon Ervin Hoxha: Ligji është i njëjtë për të gjithë, përgjegjësit do të përballen me pasojat

Ervin Demo ka reaguar pas akteve të dhunës gjatë protestës së zhvilluar të shtunën në Tiranë, duke dënuar sulmet ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe dëmtimin e institucioneve publike e pronave private.
Në reagimin e tij, Demo thekson se dhuna nuk ka asgjë të përbashkët me protestën paqësore dhe se e drejta kushtetuese e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë duhet të respektohet.
Ai nënvizon se çdo dyshim për organizimin, financimin apo nxitjen e akteve të dhunës duhet të hetohet nga organet kompetente, ndërsa përgjegjësitë për dëmet e shkaktuara duhet të përcaktohen në përputhje me ligjin.
Njëkohësisht, Demo thekson se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë, përfshirë punonjësit e Policisë së Shtetit. Sipas tij, çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës duhet të hetohet me paanshmëri.
Në këtë kontekst, ai përmend pezullimin e një punonjësi policie dhe nisjen e hetimeve për rastin e të riut të lënduar në sy, si hapa konkretë drejt zbardhjes së ngjarjes dhe përcaktimit të përgjegjësive mbi bazën e provave.
Demo shpreh gjithashtu mbështetjen për punonjësit e Policisë së Shtetit që përmbushin detyrën në kushte të vështira, duke theksuar se ushtrimi i autoritetit duhet të shoqërohet gjithmonë me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit.
Në fund të reagimit, ai nënvizon se qeveria mbetet e hapur për dialog me qytetarët dhe për adresimin e kërkesave të tyre legjitime, ndërsa thekson se dhuna nuk mund të përdoret si mjet presioni ndaj institucioneve.
“Vendosmëri ndaj dhunës. Respekt për protestën paqësore. Përgjegjësi përpara ligjit, pa përjashtim”, përfundon reagimi i Ervin Demos.


