Britania e Madhe u kërkon qytetarëve të përgatiten për emergjenca, publikohet udhëzuesi i ri

Qeveria britanike publikoi udhëzime të reja lidhur me përgatitjen e familjeve për situata emergjente, duke u kërkuar qytetarëve të mbajnë në shtëpi rezerva ushqimore dhe ujë të mjaftueshëm për të përballuar të paktën tri ditë pa shërbimet bazë.
Fushata e quajtur “Be Ready” synon të rrisë gatishmërinë e popullsisë përballë krizave që mund të ndërpresin furnizimin me energji elektrike, ujë, komunikimet telefonike dhe internetin.
Skenarët e përfshirë në udhëzime variojnë nga përmbytjet dhe zjarret masive deri te sulmet kibernetike dhe emergjencat më të rënda të sigurisë.
Udhëzimet rekomandojnë që familjet të sigurojnë rreth tre litra ujë të pijshëm për person në ditë, ose nëntë litra për një periudhë 72-orëshe, si dhe ushqime që ruhen për një kohë të gjatë dhe nuk kërkojnë frigorifer apo gatim.
Po ashtu, lista përfshin një kuti të ndihmës së shpejtë, ilaçet e domosdoshme, batanije, veshje të ngrohta, elektrik dore me bateri rezervë, radio FM me bateri ose me kurdisje dhe një bateri portative për telefonin.
Qytetarëve u këshillohet të mbajnë edhe para fizike, në rast se pagesat elektronike ose bankomatet nuk funksionojnë, si dhe kopje të dokumenteve të rëndësishme dhe numrat e kontaktit për raste emergjente.
Familjet me fëmijë të vegjël duhet të marrin parasysh nevojat për qumësht formule, pelena e të tjera produkte thelbësore, ndërsa personat që kanë kafshë shtëpiake duhet të sigurojnë ushqimin dhe ujin e tyre.
Qeveria thekson se përgatitjet mund të bëhen gradualisht, pa qenë e nevojshme që të gjitha produktet të blihen menjëherë.
Qëllimi është që familjet të jenë në gjendje të përballojnë ndërprerjet e përkohshme të shërbimeve, duke u lënë ekipeve të emergjencave më shumë mundësi për t’u ardhur në ndihmë personave që kanë nevojë më urgjente.
Nisma vjen në kohën kur autoritetet britanike po ngrenë shqetësime për cenueshmërinë e infrastrukturës, rreziqet e sulmeve kibernetike dhe kërcënimet nga shtete armiqësore.
Fushata britanike synon të afrojë vendin me praktikat e të tjera shteteve evropiane, përfshirë Francën, Irlandën dhe Holandën, ku rekomandohet që familjet të jenë në gjendje të përballojnë të paktën tri ditë ndërprerje të shërbimeve bazë.


