Zjarret përfshijnë jugun e Europës, Franca, Spanja dhe Portugalia në betejë me flakët, evakuohen mijëra banorë

Bota

Zjarret përfshijnë jugun e Europës, Franca, Spanja dhe Portugalia

Një zjarr i madh vijon të përhapet në jug të Francës, duke shkaktuar probleme edhe për zhvillimin e etapës së tretë të Tour de France, ndërsa zjarre të tjera në Spanjë dhe Portugali janë vënë pjesërisht nën kontroll. Autoritetet paralajmërojnë se sezoni i zjarreve ka nisur në Europën Jugore, në një kohë kur rajoni pritet të goditet nga një valë e re e të nxehtit.

Në Francë, zjarri që shpërtheu të shtunën në një zonë malore pranë vargmalit Canigou, në jugperëndim të vendit, ka djegur tashmë rreth 45 mijë hektarë sipërfaqe. Nga flakët janë plagosur një zjarrfikës dhe një banor.

Prefektura e Pirenejve Lindorë bëri të ditur se kushtet meteorologjike mbeten të pafavorshme, ndërsa banorët e 26 komunave janë urdhëruar të evakuohen. Deri tani, rreth 10.500 persona janë larguar nga zonat e rrezikuara, përfshirë masivin malor Aspres dhe qytetin Ille-sur-Têt.

Pavarësisht se zjarri ndodhet vetëm disa dhjetëra kilometra larg destinacionit të etapës së tretë të Tour de France, organizatorët konfirmuan se gara do të zhvillohet sipas planit, por pa praninë e spektatorëve, për shkak të angazhimit të shërbimeve të emergjencës.

Mbi 700 zjarrfikës, rreth 200 mjete tokësore dhe afro 10 mjete ajrore po luftojnë për vënien nën kontroll të flakëve.

Ndërkohë, 16 rajone në jug dhe perëndim të Francës janë vendosur në alarm portokalli për shkak të temperaturave të larta, të cilat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Dy vatra të tjera zjarri vazhdojnë të jenë aktive në jug dhe qendër-perëndim të vendit.

Sipas autoriteteve franceze, shumica e zjarreve shkaktohen nga aktiviteti njerëzor, ndërsa përhapja e tyre favorizohet nga valët gjithnjë e më të shpeshta të të nxehtit dhe thatësirat e lidhura me ndryshimet klimatike.

Edhe në Spanjë, një zjarr që shpërtheu të premten pranë zonës turistike Costa Brava ka djegur rreth 22 mijë hektarë. Autoritetet njoftuan se situata është stabilizuar dhe dyshohet se zjarri u shkaktua nga pakujdesia. Një person është arrestuar, pasi dyshohet se përdori një vegël prerëse në një zonë ku kjo ishte e ndaluar.

Në Portugali, një zjarr i madh pyjor vazhdon prej tre ditësh në rajonin Vouzela, ku janë djegur të paktën 130 mijë hektarë bimësi. Autoritetet bëjnë të ditur se rreth 80% e vatrës është izoluar dhe situata po përmirësohet.

Portugalia, e goditur nga një valë e fortë të nxehti që prej javës së kaluar, është përballur me zjarret e para të mëdha të verës. Deri tani janë plagosur të paktën nëntë persona, mes tyre edhe dy civilë. Vendi ka aktivizuar gjithashtu Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile për të kërkuar ndihmë shtesë.

Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025, zjarret pyjore në Evropë shkatërruan mbi 10,3 milionë hektarë, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.

ME TE LEXUARAT