Video/ Zjarri në Belgjikë, të paktën 5 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Banorët tentojnë të hidhen nga ballkoni për të shpëtuar

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një zjarri të madh që shpërtheu të mërkurën në mëngjes në një pallat apartamentesh në zonën Linkeroever të Antverpit, në Belgjikë.
Ndërtesa 10-katëshe, ku jetonin më shumë se 200 persona, u evakuua menjëherë pas përhapjes së flakëve. Sipas autoriteteve, disa banorë kanë pësuar plagë të rënda dhe janë transportuar në spitale, ndërsa të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje.
“Pak para orës 10:00 të mëngjesit, një zjarr shpërtheu në një pallat apartamentesh në August Vandermeylelaan, në Linkeroever. Shpejt u bë e qartë se bëhej fjalë për një zjarr serioz. Ka disa persona të plagosur rëndë dhe disa të tjerë me lëndime më të lehta, të cilët po marrin trajtim mjekësor në vendngjarje. Fatkeqësisht, ka edhe viktima. Për momentin, zjarrfikësit po vijojnë kontrollin e ndërtesës për të parë nëse ka ende persona brenda”, deklaroi Kim Bastien, zëdhënëse e policisë së distriktit të Antverpit.
Fillimisht u raportua se zjarri kishte nisur në katin e dhjetë të ndërtesës, por zjarrfikësit sqaruan më vonë se vatra e zjarrit ishte në katin e tetë. Kur ekipet e para mbërritën në vendngjarje, tymi i dendur kishte përfshirë një pjesë të madhe të pallatit.
JUST IN: Multiple people dead, several others seriously injured after an apartment building fire in Antwerp, Belgium. pic.twitter.com/xBSQ5kTbdO
— Scope Report (@ScopeReport_) July 1, 2026
Një video dramatike nga vendi i ngjarjes tregon momentin kur një burrë zbret nga ballkoni i tij drejt dritares së një apartamenti fqinj, për t’i shpëtuar tymit të dendur.
“Ky është një zjarr shumë kompleks. Flakët nuk janë ende plotësisht nën kontroll, por përhapja e tyre është ndaluar. Ky është një zhvillim pozitiv”, tha një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikësve të Antverpit.
Ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet brenda ndërtesës, duke u bazuar edhe në listën e banorëve për të identifikuar personat që mund të ndodhen ende brenda.
“Ne kemi gjetur persona të tjerë. Ekipi ynë i shpëtimit është angazhuar gjithashtu për të evakuuar banorët në mënyrë të pavarur, përmes mjeteve të posaçme dhe shkallëve të zjarrfikësve”, deklaruan autoritetet.


