"Veproni shpejt, përndryshe çdo marrëveshje bie”, Trump paralajmëron Hamasin: Nuk toleroj vonesa

Bota

"Veproni shpejt, përndryshe çdo marrëveshje bie”,

Presidenti i SHBA, Donald Trump, paralajmëron Hamasin që të “veprojë shpejt, përndryshe çdo marrëveshje bie”. Reagimi vjen në një moment kur Hamasi ka deklaruar se do të lirojë të gjithë pengjet izraelite që ndodhen ende në Gaza.

“E vlerësoj faktin që Izraeli ka ndalur përkohësisht bombardimet për t’i dhënë mundësi lirimit të pengjeve dhe arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Hamas duhet të lëvizë shpejt, përndryshe çdo marrëveshje bie”, tha presidenti amerikan në një postim në Truth Social.

“Nuk do të toleroj vonesa, të cilat shumë mendojnë se do të ndodhin, apo ndonjë rezultat ku Gaza paraqet sërish kërcënim. Ta përfundojmë këtë, SHPEJT. Të gjithë do të trajtohen me drejtësi”, shtoi Trump.

Komentet e presidentit vijnë pas tre sulmeve ajrore të ndara mëngjesin e sotëm mbi qytetin e Gazës, ku njëri prej tyre ka shkaktuar një viktimë dhe disa të plagosur.

Plani i paqes me 20 pika, i presidentit amerikan Donald Trump, parashikon që të gjithë 48 pengjet e mbetura, nga të cilët besohet se 20 janë ende gjallë, do të lirohen nga Hamasi brenda 72 orëve nga momenti i pranimit të marrëveshjes.

Hamasi ka thënë se e pranon planin në parim dhe do të lirojë pengjet, por grupi kërkon negociata të mëtejshme për disa pika kyçe.

ME TE LEXUARAT