Ukraina: Mburoja e reaktorit të Çernobilit u godit nga droni rus

Një sulm me dron rus ka goditur mburojën e reaktorit të dëmtuar në termocentralin bërthamor të Çernobilit, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sulmi shkaktoi një zjarr, i cili është shuar, shtoi ai.
Që nga mëngjesi i së premtes, nivelet e rrezatimit nuk ishin rritur në central, tha Zelensky, raporton BBC.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se personeli i sigurisë u përgjigj brenda disa minutave pas shpërthimit gjatë natës. Nuk raportohet për viktima, shtoi agjencia.
IAEA, e cila monitoron sigurinë bërthamore në botë, tha se nivelet e rrezatimit brenda dhe jashtë Çernobilit mbeten normale dhe të qëndrueshme.
Agjencia mbetet në “gadishmëri të lartë” pas incidentit, ndërsa drejtori i saj i përgjithshëm Rafael Mariano Grossi tha se “nuk ka vend për panik”.
Çernobili është vendi i aksidentit më të keq bërthamor në botë, një shpërthim katastrofik në vitin 1986, shkaktoi një emergjencë të shëndetit publik në të gjithë Evropën.
Zelensky postoi pamjet në X që tregojnë dëmtimin e mburojës gjigante prej betoni dhe çeliku.
Mburoja është projektuar për të parandaluar rrjedhjen e mëtejshme të materialit radioaktiv gjatë shekullit të ardhshëm. Është 275 metra e gjerë dhe 108 metra e gjatë dhe ka kushtuar 1.6 miliardë dollarë (1.3 miliardë £) për t’u ndërtuar.


