Trump paralajmëron: Jo kushdo që lind në SHBA do të marrë automatikisht shtetësinë amerikane

"Kushdo që lind në Shtetet e Bashkuara nuk do të marrë automatikisht shtetësinë", njofton Trump nëse plani i tij realizohet. Ky është qëllimi i tij, nëse mund të anashkalojë Kushtetutën, duke mbyllur mundësinë e "shtetësisë me lindje". Këtë qëllim ai e ka konfirmuar personalisht, pas raportimeve të medieve, gjatë një interviste të transmetuar të dielën nga NBC.
Kushtetuta
Problemi qëndron në faktin se “shtetësia me lindje” është përcaktuar në vitin 1868 nga Amendamenti i Katërmbëdhjetë i Kushtetutës, sipas të cilit “të gjitha personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara, dhe që i nënshtrohen juridiksionit të tyre, janë qytetarë të Shteteve të Bashkuara”. Për të shfuqizuar këtë praktikë, pra, do të duhej të ndryshohej Kushtetuta, gjë që kërkon një shumicë të kualifikuar në Kongres, të cilën republikanët nuk e kanë, si dhe miratimin e tre të katërtave të 50 shteteve amerikane.
Megjithatë, Trump nuk dorëzohet: “Duhet t’i japim fund kësaj praktike. Është qesharake”. Në intervistën për NBC, ai tha se kishte dashur ta bënte këtë me dekret gjatë mandatit të parë, por më pas Covid-i imponoi prioritete të tjera. Tani ai ka ndërmend ta provojë përsëri, përmes një dekreti. Dhe nëse kjo nuk do të mjaftojë, do të kërkojë të ndryshojë Kushtetutën: “Nëse është e nevojshme, do t’i drejtohemi popullit për ta bërë këtë”.
Nga Obama e deri më sot
Trump është shumë i motivuar për këtë çështje, jo vetëm sepse e konsideron pjesë të planit të tij për të kufizuar emigracionin, por edhe sepse karriera e tij politike filloi duke vënë në dyshim nëse Barack Obama ishte vërtet qytetar amerikan. Për më tepër, çështja e shtetësisë së fituar përmes lindjes lidhet edhe me udhëtimet e nënave që vijnë të lindin në SHBA, nga Kina dhe vende të tjera, me qëllim që të sigurojnë pasaportë amerikane për fëmijët e tyre dhe përfitimet që lidhen me të.


