Trump jep garancinë: Lufta po shkon drejt fundit, e kemi nën kontroll Ngushticën e Hormuzit
Nga Dublini, ku u takua me kryeministrin irlandez Micheál Martin, presidenti amerikan Donald Trump foli gjerësisht për zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Në fokus ishte lufta me Iranin. Trump tha se konflikti mund të përfundojë së shpejti, por u shpreh se Teherani po përpiqet ta zgjasë përballjen deri pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.
“Mendoj se shumë shpejt. Mendoj se do të jetë ndoshta menjëherë pas zgjedhjeve të mesmandatit. Ata po përpiqen të rezistojnë sa më gjatë të munden për të komplikuar zgjedhjet”, tha Trump.
Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, Trump tha se Shtetet e Bashkuara kanë një kontroll të fuqishëm mbi këtë pikë strategjike dhe se bllokada detare ka ndihmuar në frenimin e çmimeve të naftës.
“Ne e kontrolluam shumë fuqishëm Ngushticën e Hormuzit. Kemi një bllokadë detare që ka qenë e pabesueshme. Çmimet e naftës do të kishin qenë shumë më të larta”, tha presidenti amerikan.
Presidenti foli edhe për Huthitë në Jemen, duke pretenduar se grupi rebel ka kontaktuar administratën amerikane dhe nuk dëshiron përfshirjen e drejtpërdrejtë të Uashingtonit.
“Huthitë na telefonuan dhe nuk duan të luftojnë me ne. Po lejojnë shumicën e anijeve të kalojnë. Ka vetëm një vend me të cilin nuk janë shumë të kënaqur dhe ne do ta zgjidhim këtë çështje”, tha Trump.
Edhe Gaza ishte pjesë e deklaratave të presidentit amerikan. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se Uashingtoni ka luajtur rol vendimtar në vendosjen e paqes dhe kthimin e pengjeve.
Vizita në Irlandë u shoqërua edhe me protesta në Dublin, ku demonstruesit kundërshtuan politikat e Trumpit dhe shprehën mbështetje për Palestinën.


