“Trump do sulmohej me raketa tokë-ajër”, New York Times zbulon informacionet që kishte inteligjenca amerikane: Ja plani i Iranit

Kërcënimi iranian që e shtyu Donald Trump të ndryshonte fshehurazi Air Force One muajin e kaluar u bë i njohur për shërbimet amerikane ndërsa ai përgatitej për ditën e fundit të Samitit të NATO-s në Turqi , më 8 korrik.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë me dijeni të kërcënimit dhe të cituar nga Neë York Times , agjencitë e inteligjencës amerikane kishin mbledhur informacione nga burime të shumta. Ata e dinin se ekzistonte një kërcënim specifik i një sulmi me raketa tokë-ajër ndaj Air Force One, pra çdo aeroplan që mbante presidentin amerikan, dhe se një person që mbante një raketë të lëshuar nga supi ishte parë në zonën ku po zhvillohej Samiti i NATO-s .
Në të njëjtën kohë, sipas të njëjtëve zyrtarë, iranianët e dinin saktësisht se ku po qëndronte Trump në Ankara, madje edhe në cilin kat të ndërtesës ndodhej.
Provat u konsideruan mjaftueshëm të besueshme që Trump dhe zyrtarët e lartë në administratën e tij të nisnin një operacion mashtrimi shumë të pazakontë për ta nxjerrë atë nga Turqia.
Trump hipi në Air Force One më të vjetër para kamerave, pasi më parë kishte njoftuar se do të udhëtonte me të “për hir të kohërave të vjetra “. Më pas ai u largua fshehurazi në një kontejner furnizimi për aeroplanë dhe përfundimisht u largua nga Turqia me një aeroplan ushtarak.
Planet iraniane të së kaluarës së afërt
Presidenti amerikan ka qenë shënjestër e komploteve iraniane në të kaluarën. Në vitin 2024, gjatë një tubimi zgjedhor në Butler të Pensilvanisë, ai u plagos lehtë nga një plumb i një vrasësi të mundshëm, ndërsa më vonë atë vit një tjetër person i armatosur dyshohet se u përpoq ta vriste atë në fushën e tij të golfit në Florida. Këto dy përpjekje për vrasje nuk ishin të lidhura me kërcënime nga Irani.
Megjithatë, një burrë u dënua për përfshirjen e tij në një komplot vrasjeje me pagesë që synonte Trumpin, i cili u zbulua gjatë administratës së Joe Biden. Sipas autoriteteve amerikane, pas këtij komploti të veçantë qëndronin iranianë, të cilët vepronin përmes ndërmjetësve.
“Avioni me të cilin fluturova ishte në rrezik më të madh”
Presidenti amerikan pranoi para gazetarëve se ndërroi fshehurazi aeroplanë në Turqi muajin e kaluar, duke ndjekur udhëzimet e Shërbimit Sekret të SHBA-së , por pretendoi se avioni me të cilin ai udhëtoi përfundimisht ishte edhe më i prekshëm se Air Force One.
Shtëpia e Bardhë nuk e kishte zbuluar ndërrimin e avionit dhe operacioni mbeti sekret deri të hënën, kur u zbulua për herë të parë nga Washington Post.


