Tjetër ciklon i fuqishëm në Indi, miliona njerëz të evakuuar (Video)

Më shumë se një milion njerëz në Indi janë evakuuar, ndërsa një ciklon i fuqishëm ka filluar të zbresë në bregun lindor, këtë të mërkurë.
Cikloni Yaas, i cili u intensifikua si një “stuhi shumë e ashpër ciklonike”, goditi shtetin e Orissas, i njohur gjithashtu si Odisha. Ky është cikloni i dytë që godet vendin brenda një jave, pasi cikloni Tauktae vrau më shumë se 150 njerëz.
Yaas goditi zonat bregdetare me erë dhe shi, duke dëmtuar ndërtesat në zonë.
Departamenti i meteorologjisë së Indisë tha se zonat e ulëta pranë bregdetit janë përmbytur për shkak të shiut dhe valëve të baticës që shoqërojnë ciklonin.

Shumë fshatra bregdetarë në shtetin e Bengalit Perëndimor, Orissa fqinje, u përmbytën nga uji i detit. Ekipet e ushtrisë janë vendosur për të shpëtuar 32 persona të bllokuar në një rreth bregdetar për shkak të një stuhie.

Zyrtarët e departamentit të motit thonë se presin që era të arrijë shpejtësinë 140km / h deri në 155km / h, raporton BBC. Zyrtarët e rrethit në Orissa dhe shtetet e Bengalit Perëndimor thonë se ka miliona njerëz që jetojnë në zona bregdetare të pambrojtura.
Mbi 1.200 streha janë vendosur, në përputhje me normat e sigurisë anti Covid, ndërkohë që ekipet shëndetësore kanë mbërritur, megjithatë ekspertët e shohin të vështirë respektimin e distancës fizike.Ushtria indiane ka vendosur në gjendje gadishmërie 17 ekipe shpëtimi.
Cikloni Yaas vjen në një kohë kur India po lufton me valën e dytë vdekjeprurëse të infeksioneve Covid 19, dhe sistemet e kujdesit shëndetësor janë tashmë të mbingarkuar.
Krematoriumet, varrezat dhe spitalet, pavarësisht se kanë punuar me kapacitet të plotë, kanë pasur të pamundur të trajtojnë të gjithë të sëmurët dhe viktimat.


