Tentativa e dytë/ Marokenët nisen sërish me not drejt Spanjës, arrestime të shumta dhe kaos

Policia marokene ka arrestuar 111 persona pranë qytetit Fnideq, ndërsa dyshohet se po përpiqeshin të kalonin kufirin drejt territorit spanjoll të Ceutës. Mes të ndaluarve janë 109 emigrantë nga Afrika subsahariane dhe dy shtetas marokenë.
Autoritetet kanë shtuar ndjeshëm masat e sigurisë në të dyja anët e kufirit, pas një përpjekjeje masive për të hyrë në Ceuta më 30 korrik, ku më shumë se 72 mijë emigrantë u dyndën drejt territorit spanjoll dhe të paktën 96 persona humbën jetën.
Policia marokene përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e emigrantëve të mbledhura pranë kufirit, ndërsa gazetarëve iu kërkua të largoheshin nga Fnideq. Në anën spanjolle, më shumë se 500 efektivë shtesë janë dërguar në Ceuta, duke e çuar numrin e forcave policore në mbi 1,600.
Autoritetet marokene dhe spanjolle janë vënë në alarm edhe për shkak të thirrjeve në rrjetet sociale për një tjetër kalim masiv më 15 gusht. Madridi ka bërë të ditur se emigrantët që kanë hyrë ilegalisht dhe nuk plotësojnë kushtet për qëndrim do të kthehen në Marok.
Ndërkohë, rreth 5 mijë emigrantë ndodhen ende në Ceuta, ndërsa autoritetet vijojnë kontrollet dhe patrullimet intensive përgjatë zonës kufitare.


