Serbia arreston shqiptarin, ngrihet në këmbë shteti i Kosovës, për çfarë akuzohet?

Autoritetet gjyqësore serbe kanë nisur procedurë penale ndaj shtetasit të Kosovës, Dukagjin Maxhuni, 47 vjeç nga Beci i Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh nën pretendimet për krime lufte të vitit 1999.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Maxhuni është ndaluar në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë dhe më pas është transferuar në Beograd. Prishtina ka njoftuar Delegacionin e BE-së në Serbi dhe vendet e Quint-it, ndërsa ambasadori i Kosovës në Serbi është në kontakt me familjen e tij.
Kosova ka paralajmëruar se do të kërkojë zyrtarisht lejimin e një vizite ndaj Maxhunit dhe do të vazhdojë monitorimin e rastit.
Ky është arrestimi i dytë gjatë gushtit i një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe nën pretendime për krime lufte. Më 2 gusht, në kufirin Serbi-Hungari, u arrestua edhe 44-vjeçari Mentor Mustafa nga Novobërda, ndaj të cilit u caktua një muaj paraburgim.


