Tensionet e vazhdueshme me Rusinë, Blinken në Ukrahinë: Mbështetja e SHBA nuk do lëkundet

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do vizitojë ditën e sotme Ukrahinën, ku qëllimi është tensioni i vazhdueshëm që ky shtet ka me Rusinë. Departamenti i shtetit ka lajmëruar se Blinken do nënvizojë se SHBA nuk do lëkundet nga mbështetja që do i japë Ukrahinës në këtë çështje.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për veprimet e vazhdueshme agresive të Rusisë dhe retorikën kundër Ukrainës, përfshirë praninë e rritur të trupave ruse në Krimenë e pushtuar dhe përgjatë kufijve të Ukrainës”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Gjithashtu, në deklaratë thuhet se SHBA do jetë vigjilent, duke monitoruar situatën nga afër. Sekretari Blinken pritet të ritheksojë se Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin aneksimin nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014. Ai pritet të bëjë thirrje për rikthimin e rajonit tek Ukraina. Ai gjithashtu do t’i bëjë thirrje Rusisë të mbështesë angazhimet e saj sipas marrëveshjeve të Minskut për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainën lindore. Që nga viti 2014, Rusia ka mbështetur separatistët pro-rusë në rajonin lindor të Donbasit.
Departamenti i Shtetit tha se Sekretari Blinken do të inkurajojë gjithashtu reformat institucionale në Ukrainë, të cilat Departamenti i Shtetit i quajti “çelësi për sigurimin e institucioneve demokratike të Ukrainës, prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euro-atlantike”. Sekretari Blinken ka të ngjarë të nënvizojë rëndësinë e mbështetjes ekonomike amerikane për Ukrainën. “Që nga viti 2014, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës më shumë se 4.6 miliardë dollarë në ndihmë totale, asistencë në fushën e sigurisë dhe nevoja që nuk lidhen me sigurinë”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.


