Takimi Trump–Erdogan në fokus/ “Hürriyet”: Sanksionet CAATSA mbeten pengesa kryesore në marrëdhëniet Turqi–SHBA

Vizita e pritshme e presidentit amerikan Donald Trump në Ankara, në kuadër të Samitit të NATO, po shihet si një nga zhvillimet më të rëndësishme diplomatike të muajve të fundit. Në qendër të vëmendjes është takimi kokë më kokë me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili pritet të trajtojë një sërë çështjesh strategjike që kanë ndikuar prej vitesh në marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Uashingtonit.
Sipas gazetës turke Hürriyet, vetë Trump ngriti pritshmëritë disa javë më parë, kur deklaroi se po përgatiste një "dhuratë" që do ta bënte Erdoganin të lumtur. Kjo deklaratë nxiti menjëherë spekulime se SHBA mund të ndërmarrë hapa për rikthimin e Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35 ose të lehtësojë bashkëpunimin për furnizimin me motorë të avionit luftarak turk KAAN.
Megjithatë, sipas analizës së "Hürriyet", çështja më e ndërlikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve mbetet regjimi i sanksioneve CAATSA, i vendosur nga SHBA pas blerjes nga Turqia të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Ligji CAATSA, i miratuar nga Kongresi amerikan në vitin 2017, parashikon masa ndëshkuese ndaj vendeve që kryejnë blerje të konsiderueshme nga industria ruse e mbrojtjes. Si pasojë, Turqia u përjashtua nga programi F-35, ndërsa Drejtoria e Industrisë së Mbrojtjes dhe disa zyrtarë turq u vendosën nën sanksione.
Sipas medias turke, Ankaraja synon që kjo çështje të marrë fund, pasi konsiderohet pengesa kryesore për normalizimin e plotë të marrëdhënieve strategjike me SHBA-në.
Në tryezën e bisedimeve pritet të jenë edhe dosje të tjera të rëndësishme, si modernizimi i flotës turke të F-16, zhvillimi i avionit luftarak KAAN, arkitektura e re e mbrojtjes së NATO-s, lufta në Ukrainë, situata në Siri dhe balancat e reja gjeopolitike në rajon.
Në analizë theksohet gjithashtu se Turqia mbetet një nga vendet e pakta që ruan kanale komunikimi me të gjithë aktorët kryesorë të krizave ndërkombëtare. Në këtë kuadër përmendet edhe vizita e fundit e ministrit të Jashtëm turk Hakan Fidan në Rusi dhe takimi i tij me Vladimir Putin, ku u përcollën mesazhe të presidentit Erdogan përpara samitit.
Një tjetër temë me rëndësi pritet të jetë Siria. Trump do të zhvillojë gjithashtu një takim me presidentin sirian në kuadër të samitit, ndërsa Ankaraja kërkon që stabiliteti në rajon të ndërtohet përmes bashkëpunimit mes vendeve të Lindjes së Mesme.
Megjithatë, sipas "Hürriyet", edhe nëse Trump shfaq vullnet politik për të lehtësuar sanksionet ndaj Turqisë, kjo nuk mjafton për një zgjidhje përfundimtare. Presidenti amerikan mund të pezullojë ose shtyjë përkohësisht disa masa ndëshkuese, por heqja e plotë e CAATSA kërkon miratimin e Kongresit amerikan.
Për këtë arsye, gazeta arrin në përfundimin se, pavarësisht vullnetit të dy liderëve për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe, prova vendimtare do të jetë qëndrimi i Kongresit të SHBA-së, i cili mbetet faktori kyç për të ardhmen e bashkëpunimit mes Uashingtonit dhe Ankarasë.


